KORCE- Pas marrëveshjes Rama-Basha për zgjidhjen e krizës politike dhe ecurinë e zgjedhjeve parlamentare, kreu i Qeverisë ka një etiketim të ri për kreun e opozitës. “Miku im i orëve të fundit”, thotë kryeministri Rama nga Korça, duke iu drejtuar kreut të PD-së, Lulzim Basha.

Duke iu referuar deklaratës se Bashës se me këtë marrëveshje “opozita ka rrëzuar gjysmën e qeverisë, e më 25 qershor do të rrëzojë qeverinë”, kryeministri tha se kjo nuk është e vërtetë.

Sakaq, Rama tha se opozitës iu dha mundësia për t’iu bashkuar zgjedhjeve parlamentare. Ndërsa shtoi se PS e donte PD-në në zgjedhje për ta mundur.

“Fakti që ne bëmë një marrëveshje nuk e ndryshon të vërtetën se ata u futën në një çadër se kishin frikë nga vettingu. Ne e miratuam reformën kushtetuese në momentin e fundit, për frikën nga reforma. Ne tani do të mbajmë një amanet që i ka ardhur koha.

Nga ana tjetër ne i duam ata në zgjedhje, i duam që t’i mundim. Ne i donim ata në zgjedhje, e megjithatë do bënim zgjedhje edhe nëse ata nuk do ishin. Kjo sepse nuk i pengonim ne ata të hynin në zgjedhje, por ata na pengonin ne të bënim zgjedhje. U dhamë një mundësi të madhe të kthehen brenda sistemit. Por një gjë nuk besoj se e ha njeri, që ne iu kemi dorëzuar qeverinë, që ne kemi ndarë qeverinë me ta, apo që siç thotë miku im i orëve të fundit, Lulëzimi, që tani kanë rrëzuar gjysmën e qeverisë, e më 25 qershor do të rrëzojnë qeverinë. Kjo nuk është e vërtetë. Por ne kemi bërë gjënë e duhur.

Ne kemi dashur të japim një mesazh të qartë për ata që e votojnë PD, që janë njësoj si ne, janë prindër, të rinj, gjyshër, pavarësisht bindjeve.

Çdo krizë është një situatë në të cilën mund të shkosh keq e më keq, por është edhe një situatë që ti mund ta shohësh si një moment që të kalosh në një fazë të re. Faza e re nuk është që ne do qeverisim bashkë, por se u kemi dhënë atyre provën se ne kur themi “mbi të gjitha vëmë Shqipërinë”, nuk e kemi fjalë goje”, u shpreh kryeministri Rama.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: