Atmosfera në Korçë sa vjen dhe bëhet me e ndezur në pritje të ndeshjes së kthimit në turin e dytë kualifikues të Ligës së Europës përballë kazakëve të Kairat Almatit.

Barazimi 1-1 në ndeshjen e parë në transfertë, por sidomos loja mjaft bindëse e korçarëve, ka bërë që tifozët të jenë besimplotë në arritjen e kualifikimit për në turin e tretë dhe rreth 30 orë para ndeshjes klubi ka njoftuar që janë shitur 60% e biletave.

Nesër në mbrëmje në orën 20:00 pritet që stadiumi “Skënderbeu” të jetë i mbushur në kapacitetin e tij maksimal prej 6000 vendesh duke krijuar një atmosferë elektrizuese.

Njoftimi i Skënderbeut
“Në prag të ndeshjes së Europa League, KF Skenderbeu vs Kairat Almaty, entuziazmi brenda familjes bardhekuqe është rritur së tepërmi, shkak kryesor reagimi i tifozerisë.

Kështu, thirrjeve të klubit i është përgjigjur menjëherë lojtari i 12, tifozët. Ju bëjmë me dije se aktualisht është shitur mbi 60% e kapacitetit të stadiumit kur jemi një ditë e gjysmë nga fillimi ndeshjes. Nxitoni të blini biletën tuaj pasi djemtë kanë nevojë për përkrahje! #bashkëiadalim”./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: