TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i ftuar në emisionin e mëngjesit “Koha për tu zgjuar” në News 24 sqaroi arsyet pse është detyruar të rrisë çmimin e ujit në Tiranë.

Duke folur për tarifat e reja, që tashmë Bashkia ia ka propozuar Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku tha se konsumatorët familjarë do të paguajnë të paktën sa banorët e Kamzës. E gjitha kjo sipas Veliajt, bëhet që Bashkia të mund të marrë kredi që të sigurojë në të ardhmen investime që e furnizojnë me 24 orë ujë Tiranën.

“Çmimi do të rritet të paktën sa për banorët e Kamzës. S’mund të paguhet uji më shtrenjtë në Bathore se sa në Kamëz. Sigurisht ai që ka pishinë të matet mirë dhe ai që vadit tokën me ujin e pijshëm. Në Paskuqan e Babrru iu intereson më mirë ta lidhin zorrën e ujit në Tiranë, uji këtu është aq lirë sa iu leverdis. Ne po flasim për 20 lekë”,- sqaroi Veliaj.

E gjitha kjo sipas Veliajt, bëhet që Bashkia të mund të marrë kredi që të zhbllokojë ujësjellësin.

“Kur pati deficit financiar Berisha i tha Bankës së Shqipërisë bli hotel Dajtin, ndërsa Bashkisë së Lulzim Bashës i tha bli Lana Bregasin. Që të mbushte deficitin, Basha e la peng ujësjellësin në një bankë të nivelit të dytë. Ne na duhet të marrim një kredi në rastin e një reforme që do sillte ujë 24 orë. Duhen 220 milion euro, e pamundur të të financojë njeri kur nuk ke të ardhura”,- sqaroi ai.

Veliaj shtoi më tej se, të gjithë konsumatorët e kryeqytetit do të paguajnë më pak se sa kostoja e një gazete. “Nuk po shkojmë tek mesatarja e Shqipërisë, as tek Durrësi e Korça, por tek Kamza”,- sqaroi ai.

Sipas propozimit të Bashkisë, çmimi i ujit në Tiranë do të rritet nga 45 lek/ m3 në 65 lekë/m3 për familjarët dhe nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3 për bizneset.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: