TIRANE – Ndërsa qeveria ka parashikuar këtë vit një rritje ekonomike prej 2%, ky objektiv do të varet shume nga situata e ekonomisë globale që do të reflektohet te ecuria e eksporteve, pasi konsumi i brendshëm mbetet i dobët. Ky konstatim është bërë nga Banka e Shqipërisë në deklaratën e politikës monetare.
“Ndonëse në rritje, kërkesa e brendshme rezulton e pamjaftueshme për të vënë në shfrytëzim të plotë kapacitetet prodhuese të ekonomisë. Dobësia e tregut të punës dhe pritjet e ulëta inflacioniste përcjellin presione të dobëta për rritjen e pagave dhe të kostove të prodhimit”, – theksohet në deklaratën e Bankës Qendrore.
Inflacioni që është treguesi që indirekt dëshmon për koston e jetesës në vend vijon të mbetet në nivele të ulëta gjatë gjithë këtij viti, si pasojë e konsumit të dobët në ekonomi.
Në tetor ky tregues arriti në 1.4%, duke qenë ndjeshëm poshtë objektivit minimal prej 2% të parashikuar nga Banka e Shqipërisë. Në përpjekje për të stimuluar ekonominë, por në unison edhe me Fondin Monetar Ndërkombetar, Banka e Shqipërisë uli pak ditë më parë në minimumin e ri historik të 2.25 për qind, normën bazë të interesit për lekun. Por efektiviteti i këtij vendimi do të varet nga mënyra sesi do të reagojnë bankat tregtare. Ajo që pritet është ulja e interesave për kreditë e reja në lekë, një stimul për të nxitur kreditimin. Gjate dy viteve të fundit, Banka e Shqipërisë e ka ulur vazhdimisht normën bazë. Por sistemi bankar ka reaguar më shpejt ne ulje të interesave të depozitave, ndërsa ulja e interesave të kredive ka qenë më e ngadaltë.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: