TIRANË- Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës në një deklaratë për mediat bëri me dije se janë shpallur të pavlefshme të dyja ofertat për dhënien me koncesion të Rrugës së Kombit, pasi bien ndesh me interesin publik.
Sipas Eduart Seitaj, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Transporteve tha se të dyja kompanitë ofertuese, një kineze dhe një turke kanë dhënë oferta të larta. “Ofertat ekonomike u paraqitën në datë 29 tetor të këtij viti dhe në datën 2 nëntor u hapën në prani të ofertuesve dhe konsulentit IFC. Pas hapjes së ofertave financiare, Komisioni bazuar edhe në sugjerimin e IFC vendosi se ofertat financiare të paraqitura bien ndesh me interesin publik, pasi janë dy herë më të larta se sa pritshmëritë e komisionit dhe BB-së”, deklaroi Seitaj.
Të gjendur në këto kushte bazuar edhe në sugjerimin e BB-së, vijoi Seitaj, komisioni vendosi ti refuzojë duke i trajtuar si të pavlefshme dhe të anullojë procedurën e shpallur
Sipas Seitaj, gjithçka u bë transparente dhe se ofertat u hapën në prani të ofertuesve. Seitaj tha se aktualisht po diskutohet nëse do të ndjekim të njëjtën procedurë apo do të zgjidhim një model tjetër për tërheqjen e investimeve private në këtë vepër shumë të rëndësishme.
ARRSH, informoi Seitaj, është e autorizuar të marrë të gjitha masat e nevojshme për mirëmbajtjen e rrugës, pasi sezoni dimëror ka nisur tashme.
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave i ngritur në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës administroi në 29 tetor ofertat e kompanive të interesuara për të marrë koncesionin ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit. Në këtë garë paraqitën ofertat 2 kompani, “China Construction Commucination Company” L.T.D dhe “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ticaret L.T.D & Salillari”.
Ndërsa dy kompanitë e tjera konsorciumi “Aktor Concessions S.A Egis Projects” dhe kompania “Geg Terna-Terna S.A” nuk paraqitën ofertat. Kompanisë fituese do të duhej të përfundonte disa vepra të rëndësishme dhe të domosdoshme për këtë rrugë, që është e papërfunduar akoma. Koncesionari do të duhet të ndërtonte urën e re të Kukësit, si dhe rehabilitimin e skarpateve gjatë gjithë gjatësisë së rrugës, po kështu edhe tunelin në dalje të urës së Kukësit dhe disa elementë të rrugës përfshirë sinjalistikën dhe ndriçimin e kryeqëzimeve.
Sipas Seitajt, kompania “China Construction Commucination Company” L.T.D parashikonte 10.4 milion euro subvencion, ndërsa “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ticaret L.T.D & Salillari” 12.3 milionë euro.
Autostrada Durrës-Kukës-Morinë nisi ndërtimin në vitin 2003 kur Banka Botërore financoi studimin e fizibilitetit që përshkon kjo autostradë dhe u hap në qershor të vitit 2009. Kjo autostradë e lidh Durrësin dhe Shëngjinin me vendkalimin kufitar me Kosovën në Morinë.
Ajo ka një gjerësi 25-31 metra, gjatësi prej 170 kilometra dhe shpejtësi 80–120 km/h. Nga kufiri në Morinë deri në Durrës, rruga ekzistuese 180 kilometërshe që përshkohej për 6 deri 7 orë, është kthyer në një rrugë të shpejtë që të mund të kalohet për vetëm 2,5 orë.
Autostrada Durrës-Kukës-Morinë eshtë rrugë që lidh kombin dhe i shërben rajonit, pasi është aks i rëndësishëm që na lidh me Ballkanin Lindor, por edhe me Europën Qendrore dhe Lindore.
(ma.ar/BalkanWeb)