Kreu ekzekutiv i skuadrës së Bajer nit, Karl-Hainz Rumenige, i cili zotëron postin e kryetarit të Shoqatës së Klubeve Europiane, është i vendosur për një ndryshim të rregullores së merkatos duke thënë: “Është e një rëndësie tepër të madhe që ECA-ja po përpiqet të bashkëpunojë me FIFA-n, UEFA-n dhe FIFP-in për ta bërë merkaton më racionale”.

Nga çka ndodhi në merkaton e kësaj vere, ku Ousman Dembele u largua drejt Barcelonës për vlerën 148 milionë euro, ka treguar edhe një prej dobësive të “Fair Play”-t financiar, çka ka ngjallur debate sa i përket këtij sistemi në futboll. Rumenige, i cili para disa kohësh dha dorëheqjen nga kreu i ECA-së, shpreson në një bashkëpunim edhe me Bashkimin Europian për t’i gjetur një zgjidhje këtij problemi, i cili sa vjen e zmadhohet.

“Sot kemi marrë disa shenja nga Brukseli se ata do të rishqyrtojnë këtë çështje. Kjo është edhe një prej arsyeve përse e kam ndërmarrë këtë nismë në të mirë të futbollit europian. Nëse kompeticionet bëhen edhe më iracionale dhe jo të drejta për klube ose persona të ndryshëm, atëherë duhet të veprojmë të gjithë si një për të ndryshuar këtë problem madhor. Të gjithë bashkë mund të kontribuojmë për të mirën e futbollit”, mbylli Rumenige.

Hënes mbi shitjen e Dembelesë
Edhe pas shitjes prej 148 milionësh të Ousman Dembelesë, presidenti i kampionëve gjermanë, Uli Hënes, mbetet i qetë sa i përket fuqisë financiare të rivalëve të Dortmundit. Gjatë një interviste për gjermanen “Sport Bild”, ai ka thënë:

“Nuk më bën shumë përshtypje vlera e Dembelesë. Këto shuma janë të çmendura dhe këtë e kemi diskutuar edhe më parë. Megjithatë, nëse marrim si shembull blerjen e Dembelesë, nga 100 milionë që Barcelona u dha në dorë verdhezinjve, 20 milionë i shkojnë ish-klubit të mëparshëm të sulmuesit, Shtad dë Ren.

Në fund atyre u mbeten 80 milionë euro. Çka do të thotë se unë duhet të paguaj 35 milionë euro taksa për një blerje 70-milionëshe. Kjo është e vërteta e blerjeve, të cilat duken kaq të bukura nga jashtë”. Skuadra e Dortmundit do të marrë 105 milionë euro si shumë fikse dhe 43 milionë euro bonuse.

Sipas mediave gjermane, 33 milionë janë të garantuara. Tanimë Dortmundi do të marrë edhe 10 milionë pasi Dembele të ketë përfunduar 50 ndeshje të luajtura dhe nëse Barcelona kualifikohet të paktën një herë në këto pesë vitet e ardhshme.

Edhe pse presidenti Hënes tha që do t’u kushtonte 50 milionë për zëvendësuesin e Dembelesë, verdhezinjtë kanë arritur akordin me ukrainasin Andrei Jarmolenko, i cili u kushtoi vetëm 25 milionë euro. /PanoramaSport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb