Gjykata Supreme e Rusisë ka dhënë urdhër për ndalimin e dëshmitarëve të Jehovait kudo në vend, pasi ka pranuar kërkesën e ministrisë së drejtësisë për ta cilësuar këtë organizatë fetare, grup ekstremist.

Gjykata dha urdhër për mbylljen e qendrave të dëshmitarëve të Jehovait dhe të gjitha pronat e saj duhet t’ia dorëzojë shtetit. Agjencia e lajmeve Interfax bën të ditur se ministria e drejtësisë ka deklaruar se dëshmitarët e Jehovait përbëjnë kërcënim për popullin rus, rendin dhe sigurinë publike.

Ministria shton ndër të tjera se dëshmitarët e Jehovait janë kundër transfuzionit të gjakut duke shkelur kështu ligjin e kujdesit shëndetësor. Pas këtij vendimi kanë reaguar menjëherë dëshmitarët e Jehovait duke u shprehur se janë shumë të zhgënjyer nga ky zhvillim dhe kanë shprehur shqetësimin e tyre për mënyrën sesi do të ndikojë kjo tek aktiviteti i tyre fetar.

Dëshmitarët e Jehovait kanë më shumë se 170 mijë anëtarë në organizatën e tyre. Ata janë vënë nën presion që vitin e kaluar, për shkak të një urdhri që ndalon shpërndarjen e librave të tyre, pasi sipas autoriteteve ruse dhunojnë ligjet e Rusisë kundër ekstremizmit.

Megjithatë, vendimi i gjykatës supreme në Rusi është kritikuar nga Organizata për të Drejtat e Njeriut “Humans Right Watch” duke e cilësuar shkelje të lirisë fetare në Rusi. Sakaq, mediat e huaja kanë bërë të ditur se dëshmitarët e Jehovait do ta apelojnë këtë vendim duke e çuar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

(News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb