Armando Sadiku dje kompletoj transferimin e tij tek kampionia e Polonisë, Legia e Varshavës, duke lënë pas 6 vitet e kaluara në Zvicër ku së fundmi luajti për Luganon.

Në një intervistë për “Superposrt”, futbollisti i kombëtares shqiptare ka rrëfyer për tratativat si dhe ka theksuar se Legia e kërkoi me ngulm në mënyrë që ai t’i ndihmojë me golat e tij në ndeshjet e mëdha në Ligën e Kampioneve.

Transferimi te Legia

“Të gjithë, por edhe unë vetë, prisja ndonjë skuadër në ndonjë kampionat të madh në Europë si Gjermania apo Italia. Ditën e hënë kisha përpara meje katër oferta dhe Legia ishte skuadra që më ofroi gjithçka më të mirë se të tjerat. Nuk u mendova dy herë, por e firmosa menjëherë kontratën. Pasi kalova vizitat mjekësore e firmosa kontratën, do të nis menjëherë stërvitjen. Do të jem gati prej fundjavës që të luaj në kampionat me Legian.”

Oferta e një viti më parë

“Legia më ka dashur që para një viti kur përfunduam Europianin dhe trajner ishte Besnik Hasi. Kalimi nuk u konkretizua sepse unë po prisja diçka edhe më të mirë. E desh fati që tani të më kërkonin prapë dhe firmosa këtu. Jam shumë i kënaqur sepse i shoh të gjithë njerëzit këtu që më kanë pritur me shumë entuziazëm. Tifozeria, stadiumi dhe kushtet janë perfekt për t’u zhvilluar akoma më shumë në karrierën time si futbollist.”

Objektivi

“Shpresoj që të shënoj sa më tepër gola dhe të ndihmoj ekipin. Te Legia kanë ambicie dhe duan të shkojnë sa më lart në Champions, sepse nuk u mungon asgjë. Që kur firmosa ditën e parë, drejtori sportiv më tha: Ne të duam për ndeshjet e rëndësishme, sepse aty kanë mungesa, pasi në kampionat dhe në Kupën e Polonisë janë dominues. Por, në Champions mungojnë golat që të përmbushin objektivat që klubi ka, të paktën për të kaluar në fazën e grupeve.”

Marrëdhënia me tifozerinë

“Jam gati dhe po pres me padurim që të luaj ndeshjen e parë me Legian. Do të jetë shumë emocionuese. Shpresoj që t’ia fitoj zemrën tifozerisë prej ndeshjes së parë në shtëpinë tonë. Besoj që çdo gjë do të shkojë mirë. Unë nuk ndihem në presion, pasi jam i sigurt në veten time. Do të jap 100 për qind në çdo ndeshje. Kudo ku kam shkuar ia kam fituar zemrën tifozëve dhe besoj se kjo gjë do të ndodhë edhe këtu te Legia.”

Ndërkohë në një prononcim për median zvicerane “RSI”, Sadiku ka treguar se është larguar mes lotësh nga Lugano.

“Kur u ktheva te Lugano kisha pak frikë sepse më parë kisha bërë një figurë të mirë dhe nuk do të ishte diçka e bukur që të zhgënjeja me paraqitjen time. Dhashë maksimumin duke dhënë asiste dhe duke shënuar gola dhe në fund jam larguar mes lotësh nga Lugano sepse arritëm diçka që askush nuk e kishte bërë më parë”, tha ai.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb