Saimir Pirgu, tenori i njohur shqiptar që ka nisur një tur botëror për prezantimin e Cd-së së tij me 16 arie “Il mio canto” ka koncert në Tiranë me 5 mars. Koncerti mbahet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, por 800 biletat për të janë shitur në më pak se tri orë! Vetë tenori rrëfeu dje para mediave udhëtimin e tij dhe u shpreh se do përpiqet të kënaqë pritshëmritë. “CD-ja ime ka dalë në janar. E kam regjistruar me një nga orkestrat më të mira italiane, Maggio Fiorentinos. Disku është shpërndarë në të gjithë botën, nga Royal Opera House dhe distribucioni e publiciteti më i madh ka filluar nga BBC.

Regjistrimi është bërë në Firence në shtator ndërsa koncerti i parë u bë në Tokio. Publiku japonez ishte i pari të cilit ia prezantova albumin, më pas isha në Firence, jam në Tiranë dhe udhëtimi vijon në Vjenë, Moskë, Berlin e New York që do jetë koncerti i fundit”. Në përgjigje të interesit të mediave sa i takon koncertit në Tokio, Pirgu tha se publiku japonez e do artin europian dhe e respekton dhe jo vetëm për Pirgun. “Janë të predispozuar të përkrahin çdo artist ndërkombëtar që vjen. Është kënaqësi fakti që interpretuan më shumë pjesë se në program. U kënduan 18 arie. Ata nuk nxirrnin zë dhe ne nuk e kuptonim pse nuk lëviznin nga vendi”-tregoi ai.

“Il mio canto” u regjistrua në mënyrë që ai të prezantonte momentin e tij më të mirë duke lënë një dokument. “U bë kohë nga albumi im i parë. Po këndoj në çdo teatër dhe duhej një dokument që të tregonte Saimirin e tanishëm. Pra repertori im që këndoj tani dhe disa arie që do jenë e ardhmja. Janë 16 arie- më të bukurat e repertorit botëror, treçereku i tyre janë ato që unë këndoj në teatro të ndryshëm. ‘Il mio canto’ e thotë vetë.

Sa i takon Shqipërisë, ai tha se e di që publiku është tepër i ngrohtë dhe se koncertit i është bërë publicitet shumë. “Është detyra ime të kënaq pritshmëritë që ka për këtë koncert. Kam marrë shumë mesazhe se nuk ka bileta, por unë nuk shes bileta (thotë ai me të qeshur). Të gjithë më ankohen mua por për fat të keq këtu ka vetëm 800 vende. Te Pallati i Kongreseve që ka më shumë vende është e pamundur të bëhet një koncerti i këtij lloji. Jemi në mesin e kryeqytetit dhe në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, ndaj nuk do ta ndërroja pozicionin”- tha tenori.

Sa i takon dirigjentit Maestro Maurizio Barbacini, Pirgu tha se ëshët fat të punojë me të. “Është shumë i mirë dhe nga ana artistike do jetë koncert shumë i mirë, dinjitoz”. I pyetur se si e përballon ngarkesën, ai tha se nuk bën as joga, as nuk shkon në ndonjë faltore (sërish me të qeshur). I është dashur vetëm qetësi e disiplinë në ditët kur ka bërë regjistrimin. “Është stres. Dikur regjistrimi bëhej për 3 muaj, sot e kemi vërë për pesë orë në ditë për tre ditë e gjysëm. Çdo arie donte 40 minuta për t’u regjistruar.

Sigurisht teknologjia ka ndryshuar dhe bëhet më shpejt. Nganjëherë gjithë kjo shpejtësia e ditëve tona ul cilësinë kështu që ideja ime ishte të mbanim një nivel të lartë duke qenë se albumi do prezantohet në të gjithë botën. Ishte detyra ime të mbaja qetësinë”, rrëfeu tenori. Ai shtoi se janë anulluar tri produksione nga shkurti deri në maj për shkak të koncerteve. “Punoj me dirigjentë të ndryshëm në çdo koncert. Këtu varet ideja e të bërit art me shpejtësi dhe diçka do të humbë. Në Tiranë jam i kënaqur, ndërsa në rastin e Moskës unë nuk e njoh as orkestrën as dirigjentin dhe nganjëherë janë energjitë që i bëjnë njerëzit të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Jam i kënaqur kur kam koncert me piano por në këto raste më duhet të jem shumë i qetë që të përballoj çdo gjë”.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: