SARANDE– Rreth 20 ditë nga vrasja e 47-vjeçarit Aleksandër Bardhi në fshatin Shëndëlli të Sarandës, policia zbardh ngjarjen, duke vënë në pranga dy persona e duke shpallur në kërkim një tjetër.
Policia bën me dije se për vrasjen e vëllait të ish-kreut të Njësisë Administrative Kaçinar të Mirditës, është qëlluar nga 3 armë zjarri, të cilave u është kryer ekzaminim laboratorik, nga ka rezultuar se është kryer qitje në vendngjarje.

Ngjarja u shënua në 24 shtator të këtij viti, kur Bardhi humbi jetën pasi u qëllua me armë zjarri.
Disa ditë më parë policia e çoi në 6 numrin e personave të dyshuar për vrasjen. Ndërkohë sot bëhet me dije se për vrasjen e tij akuzohen direkt 3 persona, mes tyre dy nga të arrestuarit e disa ditëve më parë: Dhimitër Ciko, 20 vjeç, i dënuar më parë për “trafik ndërkombëtar droge”, dhe Amarildo Lame, 18 vjeç.

Në kërkim është shpallur 20-vjeçari Albi Xhezairi, i dënuar më parë për “Vjedhje”.
Të tre personat dyshohet se kanë qëlluar me njërën nga këto armë zjarri në një tjetër ngjarje në Ksamil, 3 ditë para vrasjes së Bardhit.

Policia njofton se të shtënat u kryen në vendin e quajtur “Kthesa e shëtitores” në Ksamil. Sakaq, burime nga policia bëjnë me dije se Dhimitër Ciko kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu, pasi në 18 maj të vitit 2014 ai u kap duke transportuar me not nga Ksamili në Korfuz, 4 kg marijuanë, me një çantë që e kishte lidhur tek këmbët.

Në profilin e tij në “Faceboook”, Ciko duket teksa ka postuar foto edhe nga kjo periudhë brenda burgut. Dy të arrestuarit e parë, si të dyshuar për vrasjen e Bardhit, Fernando Deda dhe Gjergji Arapi, tashmë po mbahen në burg jo për këtë ngjarje, por për vepra të mëparshme penale si “Trafikim te mjeteve motorike” apo armëmbajtje pa leje. Ndërkohë Eduart Gjonaj, gjithashtu ndër të arrestuarit e parë për ngjarjen, po mbahet në burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Aleksandër Bardhit.

47-vjecari u vra me një plumb kallashnikovi në këmbë, ndërsa ndodhej në arën e vet. Ndërsa policia nuk dha shumë detaje mbi rrethanat e vrasjes, PD, e lidhi atë me konfliktet mes palëve për parcelat e kanabisit. Burime nga Policia bënë me dije se vetë të arrestuarit kishin deklaruar se qëlluan thjesht për ta trembur dhe se nuk donin ta vrisnin. Ndërkohë Petrit Bardhi, vëllai i viktimës, ish-kreu i Njësisë Administrative Kaçinar u arrestua disa muaj më parë për trafik droge.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb