BRUKSEL- Presidenti Bujar Nishani ka zhvilluar ditën e sotme një takim në Bruksel me Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz. Në një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit, Schulz theksoi rëndësinë e dialogut politik mes palëve në Shqipëri, në mënyrë që vendi të ecë përpara.

“Kemi dëgjuar fjalë kurajoze që janë komentuar këtu në Bruksel. Jemi të vetëdijshëm dhe kam vlerësuar në fjalën time se jemi një komb i madh me një zemër të madhe, për mikpritjen që më keni bërë në vizitën time të parë. Falënderoj presidentin për bisedën dhe shkëmbimin e përvojave, si dhe fokusin tek rëndësia e reformave. Dialogu parlamentar në vend është shumë i rëndësishëm. Elementët e luftës kundër terrorizmit, çështja e sigurisë, roli i vendit në marrëdhëniet me rajonin dhe BE. Këto mendoj se janë në rrugë të mirë. Si president keni kontribuar shumë për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe BE-së”, tha Schulz.

Presidenti Nishani në fjalën e tij shprehu falënderimet për mbështetjen e dhënë ndaj vendit tonë, si dhe për rezolutën e miratuar mbi Shqipërinë në PE.

“Sot ka qenë një ditë intensive me takime në institucionet e Bashkimit Evropian dhe është një kënaqësi që në këtë kuadër u prita në një takim të veçantë dhe nga Presidenti i Parlamentit Evropian, zoti Martin Schulz. Është kënaqësi që në më pak se një vit të takohem sërish me Presidentin Schulz e të diskutoj me të mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, si dhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, efektet negative të krizës së refugjatëve dhe luftës ndaj terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Në takimin e sotëm pata mundësinë që të shpreh edhe njëherë mirënjohjen e vëmendjes që Presidenti Schulz dhe Parlamenti Evropian u kushtojnë marrëdhënieve me Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanin Perëndimor. Vlerësova rolin e fuqishëm të Parlamentit Evropian në mbështetjen dhe garantimin e zhvillimit të qëndrueshëm të Shqipërisë dhe institucioneve të saj demokratike, në respekt të plotë të shtetit ligjor, kushtetutshmërisë dhe të gjitha standardeve të arritura deri më sot.

Shpreha gjithashtu vlerësimin tij për rezolutën e adoptuar nga Parlamenti Evropian, më 14 prill 2016, për Shqipërinë, ku përtej vlerësimit të progresit të përgjithshëm të bërë nga vendi, theksohet edhe nevoja e adresimit të sfidave me shpejtësi dhe efiçencë, në funksion të progresit të mëtejshëm në rrugën e aderimit në Bashkimin Evropian. E informova Presidentin Schulz mbi ecurinë e procesit të reformave dhe vëmendjen time personale dhe institucionale, veçanërisht ndaj reformës në drejtësi dhe domosdoshmërisë së ruajtjes së vëmendjes edhe ndaj standardeve të të drejtave të njeriut dhe çështjes së respektimit të pronës.

Një vëmendje të veçantë ia kushtuam edhe nevojës së bashkëpunimit dhe koordinimit për përballimin e krizës së refugjatëve, ku evidentova qëndrimin dhe gatishmërinë institucioneve shqiptare për të qenë pjesë e një zgjidhje të bashkërenduar evropiane, proporcionalisht me mundësitë dhe kapacitetet që vendi ka. Faleminderit edhe njëherë Presidenti Schulz për kohën në dispozicion dhe mbështetjen që i keni dhënë Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor!”, tha presidenti Nishani.

Presidenti Nishani shprehu gjithashtu gjatë takimit vlerësimin për rezolutën e adoptuar për Shqipërinë, së fundmi nga Parlamenti Evropian, ku përtej vlerësimit të progresit të përgjithshëm të bërë nga vendi, theksohej edhe nevoja e adresimit të sfidave me shpejtësi dhe efiçencë.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: