TIRANE – Në emisionin e sotëm të gazetares Eni Vasili “Studio e Hapur” në News24 po diskutohet për kritikat që Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel i bëri opozitës duke i bërë thirrje të dalë nga çadra e protestës dhe të futet në parlament.

Në panel për të diskutuar për aktualitetin politik janë të ftuar Sekretarja për Marrëdhëniet me publikun në PD, Grida Duma, drejtori i BalkanWeb, Tedi Blushi, kryeredaktori i MAPO, Arion Sulo, dhe analisti Ilir Kulla.

Grida Duma nuk e sheh me habi këtë deklaratë të ministrit gjerman, pasi sipas saj  ndërkombëtarët janë gjithnjë pro stabilitetit dhe se opozita nuk ndihet e braktisur.

Eni Vasili: Ndjeheni të braktisur nga ndërkombëtarët
Grida Duma: Në historinë e politikës, nuk është çudi të thuash që ndërkombëtarët janë pro stabilitetit. Kështu kanë lënë gjurmë ata. Protesta e opozitës, sipas tyre është pala ekstreme, dhe ndërkombëtarët nuk donin që populli të dalë në shesh. Të huajt nuk e kuptojnë gjendjen tragjike të institucioneve.
Nuk jemi opozitë e braktisur, por çështja është që opozita të mos braktisë njerëzit, të mos braktisë kauzën për qytetarët. Nëse vijojmë me këtë realitet politik që është tani nuk do të ketë zgjedhje, do të ketë diktat.

Tedi Blushi: Jeni ju të paaftë që të bindni ndërkombëtarët që keni kauzë të drejtë?
Grida Duma: Ju mund të thoni që edhe problemi i kanalizimit është i opozitës. Në atë që është vëzhgim i zgjedhjeve, tashmë është fakt i ditur, rreth 30% e problemit të zgjedhjeve janë tek formulari i OSBE-ODIHR. Krim dhe pushtet është e pamundur që të kemi zgjedhje të lira.

Ilir Kulla: Fakti që ministri gjerman ka ardhur dhe është marrë me këtë çështje është hap i mirë për PD, se do të thotë që kjo çështje është ndërkombëtarizuar por nuk do të thotë që do futet në çadër. Ndërkombëtarët bëhen gjithnjë me më të fortin. Kjo ka qenë gjithmonë. S’do mendojmë që Gjermania do thotë bravo që jeni futur në çadër. Por kriza ka një hap përpara.
Arion Sulo: Çfarë presim ne nga Gjermani dhe BE-në për zgjidhjen e krizës së vendit? Nga ata do presim këtë qëndrim, se ka probleme më të mëdha në botë. Sa kohë merren me dosjen e Shqipërisë ata? 30 minuta?

Eni Vasili: A ishte urdhër i Gjermanisë dalja e PD nga çadra dhe të futen në parlament?
Grida Duma: Protesta është mjet demokratik. Më paqësore se ajo e sheshit në këto 60 ditë s’kemi parë ndonjëherë. Unë jua thashë, që ata problem kanë stabilitetin. Pas kësaj, janë çështje që zgjidhen së brendshmi. Për mua, janë deklarata që i referohen kujdesit për stabilitetin në vend. Çështjet e tjera janë gjëra që do t’i zgjidhim vetë. Se nuk do presim që ta dinë ata në hollësi problemin tonë.

Lidhur me afatet kushtetuese Grida Duma tha se në këtë moment ato nuk kanë rëndësi dhe se duhet të renditen prioritetet siç janë. Një ditë para raundit të parë për zgjedhjen e Presidentit, ajo ka paralajmëruar se qëndrimin e PD do e shikojmë nesër.
“Çështja e Presidentit nuk është prioritet në këtë moment. Në kushtet ku jemi afatet nuk kanë më rëndësi. Duhet të rendisim prioritetet ashtu siç janë. Qëndrimin e PD do e shikoni nesër”, tha Duma.

Nga ana tjetër Blushi tha se është e pakuptueshme që opozita është gati të shkelë Kushtetutën. Ai ka kërkuar nga opozita një platformë konkrete kërkesash që pas 18 qershorit të mos kishte më situata të tilla.
“Që opozita është e gatshme që të shkelë edhe kushtetutën mua më duket non sens siç më duket edhe kërkesa për qeveri teknike. Do doja që opozita të dilte me një platformë konkrete kërkesash më shumë se sa qeveri teknike që pas 18 qershorit mos të kishte të njëjtat situata. Do doja të shihja një paketë kërkesash që nesër kur të ulet në tavolinë të parashtrohen. Pres një alternativë me pika. Çfarë alternative ka opozita për mosblerjen e votës. Të thuash që Edi Rama është problemi i vetëm në këtë vend më duket non sens, nesër mund të ikë Rama dhe të jetë Basha”, tha Blushi.

 (e.f/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: