Largimi i De Biazit me përqafime me kreun e FSHS-së, Aramndo Duka, për një nga emrat më të vjetër të trajningut shqiptar, Faruk Sejdini, ishte një teatër. Në një intervistë për “panorama sport” Sejdini flet për shumë tema të cilat lidhen me kombëtaren ku ndër të tjera veçon nivelin e futbollistëve në kampionatin shqiptar për të cilët ka një vlerësim mjaft të dobët.

Profesor, u bë një vit nga pjesëmarrja historike e Kombëtares në Europianin e Francës. Çfarë ka ndryshuar në futbollin shqiptar në këto 12 muaj?

Ne gjithë jetën si komb kemi kaluar dy faza. Pra, jetojmë me të kaluarën e hidhur dhe të ardhmen e lumtur. Mirëpo, kemi edhe atë fazën tjetër, që jetojmë me të tashmen e hidhur, por që e kaluara ka qenë më e mirë. Në këto kushte, ne sërish vazhdojmë me atë teorinë, që “moti i mirë duket që në mëngjes” dhe pastaj themi: “dardha e ka bishtin mbrapa”.

Më konkretisht, si e analizoni situatën?

Nuk dua ta lidh këtë analizë me lojtarët shqiptarë që luajnë jashtë. Megjithatë, logjika ime më thotë se pas kampionatit europian asnjë futbollist shqiptar nuk pati progres. Këtë e konfirmoi merkatoja, ku asnjë nuk bëri lëvizje për t’u mbajtur mend. Thuajse të gjithë mbetën në të njëjtat klube dhe në mos keq, shumica nuk aktivizohej rregullisht.
Goli-i-Sadikut-me-Rumanine-470x264
Kush bëri progres, Sadiku? Vijoji në një kampionat si Zvicra, madje në Ligën e Dytë. Këtu dua të përjashtoj Hysajn, i cili gjithsesi ishte në nivele të larta që para Europianit, pasi luante rregullisht me Napolin. Kjo që ka ndodhur me futbollistët tanë është një domethënie e madhe. Për të mos folur pastaj për ata që luajnë në kampionatin shqiptar, që asnjë prej tyre nuk është lojtar bazë i ekipit kombëtar. Këtë nuk e konceptoj dot.

Ju mendoni se ky fakt është shumë shqetësues…?

Po, patjetër. Mua më revolton më tepër kjo, sepse si ka mundësi një kampionat i tërë nuk arrin të prodhojë një lojtar që mund të jetë stabël në Kombëtare?! Çfarë është ky nivel kështu, si ka mundësi?! Kemi një kampionat që s’ka tifozë, por edhe kur ka ndonjëherë, mendohet pse i ka. Në këtë sens, më duket e çuditshme kjo situatë, sepse shikoj një Kategori Superiore utopike. Nuk dihet çfarë kampionati është dhe pse ekziston. Ndonjëherë më duket sikur ekziston për forcë zakoni, por ndonjëherë edhe për forcë biznesi të shëmtuar.

Pse mendoni se edhe si biznes është diçka e shëmtuar?

Edhe Milani, Reali, Atletiko etj., e kanë biznes, sepse nuk ka mundësi të dalë me humbje ai që i drejton. Ndërsa mënyra se si funksionojnë klubet në Shqipëri është e çuditshme. Pra, pa asnjë rregull.

Të kalojmë te çështja e trajnerit De Biazi. Fillimisht shigjetoi FSHF-në, më pas dha dorëheqjen mes përqafimesh, ndërsa FSHF e nderoi sërish edhe pas lamtumirës. Si e keni parë këtë moment?

Puna e trajnerit të Kombëtares sonë me presidentin e FSHF-së është si nusja e re me vjehrrën. Martohet nusja dhe në fillim kanë marrëdhënie të mira, por pastaj problemi është se kush do të dominojë në familje, nusja, që në rastin konkret është trajneri, apo vjehrra. Unë si Farruk jam i prirë që në këtë punë duhet të dominojë nusja, pra është trajneri ai që vendos për ndryshimet profesionale.

Por, nuk duhet të harrojmë që në Shqipëri ka shumë komponentë që presidenti merr vlera. Duka kërkon vlerat e veta dhe trajneri të tijat. Secili kërkon pavarësi, derisa krijohet kjo lloj kontradikte që ndodhi. Megjithatë, pavarësisht kësaj, në rast se do të isha unë në vend të De Biazit, nuk do ta lija në këtë moment skuadrën. Mund ta lija pas humbjes në Luksemburg, pasi njeriu deziluzionohet dhe jep dorëheqjen. Por, nuk mund të largohesh nga Kombëtarja pas një fitoreje si ajo në Izrael.

Si e shpjegoni që De Biazi veproi kështu?

Veproi kështu për t’i lënë kopilin në derë presidentit. Kjo është e qartë, pasi ai iku në këtë mënyrë jo se nuk e vazhdonte dot punën, por sepse nuk e mbante dot në nivele të kampionatit europian. Pra, e pa të arsyeshme që të mos cenohej edhe nga ana financiare dhe të gjente një marrëveshje, pa penalitete. Edhe Duka ndoshta e toleroi dhe ia fali këto penalitete për hir të asaj që ka bërë ai. De Biazi u nderua nga kryeministra, presidentë etj., ja dhanë të gjitha dhe më pas iku.
duka-de-biazi1-470x296
Do të ishte fare normale që edhe katër ndeshjet e mbetura të drejtonte, mirë apo keq. Kështu do të ndahej si njeri, jo siç ndodhi, kur fillimisht qau kundër FSHF-së dhe më pas u përqafua. Qaj ai, qaj Duka dhe nuk e dimë tani kush janë fajtorët. Ky është teatër.

Po thoni që De Biazi dhe Duka më shumë kanë teatruar për këtë ndarje…?

Shqipëria është një teatër që as Makbethi dhe as Otello nuk e kalojnë dot. Problemi është që këtu te ne njerëzit i kanë qejf të tillë teatro, pasi jemi një komb që kemi qejf edhe të urrehemi me njëri-tjetrin, duke qenë se gënjehemi shpejt.

Tashmë duket sikur nuk ka asnjë plan konkret për të ardhmen e kësaj Kombëtareje. Çfarë prisni të bëhet?

Po sigurisht që nuk ka asnjë plan, sepse ne ecim gjithnjë me revolucione, duke menduar se përmbys gjithçka. Edhe tani po ndodh e njëjta gjë. Dua të pyes sërish, më gjeni një lojtar nga 23 që ishin në Europian, i cili spikati dhe më pas iu rrit pjaca. Nuk ka asnjë dhe ky është turp. Asnjë nuk bëri një transferim që të përfitonte nga Europiani. Pastaj kemi edhe ngjarje të tipit Xhaka.

Ju ka bërë përshtypje rasti i Xhakës?

Normale që më ka bërë përshtypje. Kush është Xhaka që del nga fusha dhe hedh shishen në stol?! Ai çdo gjë mund të jetë, por futbollist nuk është. Nuk ka si të jetë ai lojtar, nëse nuk është në radhë të parë njeri. Tek e fundit, Xhaka në rast se mori dy spaleta, i mori nga Kombëtarja. Ditën që e ndjeu se i mori vetë dhe nuk ia dha Shqipëria spaletat, nisi të shante trajnerin. Si mund të ndodhë kjo? Pra, edhe ky lojtar e nxori kokën se kush ishte kur u zëvendësua.
3527DAAD00000578-3636643-Xhaka_pictured_as_he_left_the_pitch_and_threw_a_water_bottle-a-23_1465655556520-470x259
Ndërkohë, FSHF po kërkon një tjetër trajner italian për Kombëtaren…

Tashmë do të futemi në atë cirkuitin “nuk kisha kohë, nuk e njihja mirë ambientin etj”. Kjo është normale, sepse çfarë do të bëjë një trajner i ri që mund të vijë në gusht. Aq sa ka parë në TV, aq do bëjë. Në zgjedhjet që do bëjë trajneri i ri, do të dominojë edhe ndonjë zyrtar i FSHF-së, pasi pa dashur ta ironizoj, ai është më prezent dhe e njeh më mirë situatën.

E ardhmja është një tunel, por kemi edhe diçka të favorshme, pasi Kombëtarja ka komoditetin e një ekipi mesatar dhe trajneri i ri do të vijë i sigurt për të dhënë më të mirën. Këtu do të vijnë trajner, që do të bëhen në Shqipëri të tillë.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Sigurisht që kështu do të ndodhë. Edhe De Biazi shumë i mirë ishte, por ama këtu u bë trajner. Luajti me “tek a çift” dhe bravo i qoftë, pasi pati sukses. E dini ju kush ka qenë Brigel? Ka qenë një ndër lojtarët e 11-shes më të mirë gjermane, por ama nuk e bënte dot rolin e trajnerit. Ai kishte dëshirë, por nuk kishte aftësi. Ishalla FSHF nuk merr emra të mëdhenj për pankinën e Shqipërisë.

Pse jeni kundër emrave të njohur?

Sepse ne kemi delirin e emrave dhe një herë që nuk e patëm, për fat, arritëm të kualifikoheshim në Europian. Morëm Brigelin dhe Ari Hanin, por diskutohej se çfarë lojtarë kanë qenë, jo çfarë trajnerësh ishin. A thua sikur ata të dy do të luanin për ne, jo do të na drejtonin. Jam kundër emrave të mëdhenj, që nuk janë trajnerë të zotë. Nuk duhet bërë “shoë” me stolin e Kombëtares.

Duka tha që nuk ua ka mbyllur derën trajnerëve shqiptarë për Kombëtaren…

Për momentin do të jetë vdekjeprurëse që Kombëtaren ta marrë një trajner shqiptar. Ekipin mund ta marrë vetëm ndonjë shqiptar aventurier siç kanë qenë në atë kohë bosët e firmave piramidale.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb