Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike Eduard Selami vijoi takimet e tij me demokratët e qarkut të Dibrës. Selami tha se Partia Demokratike është sot më pak demokratike ndërsa lidershipi i saj duhet të ndryshojë mentalitet.

“Kemi tre humbje të thella rresht, por nëse nuk bëjmë analizë serioze fatkeqësisht do të vazhdojë…sepse është humbje besimi dhe shpreses që ne jemi forcë progresive në Shqipëri. Dhe për mua si demokrat por dhe për ju bëhet më e rënde, sepse po na mund e majta trashëgimtare e partisë se punë”, tha Selami.

“Në partinë tonë mungon demokracia. Nëse ne nuk e kthejmë këtë ta shikojmë ku kemi problemin dhe ta kapërcejmë, nuk kemi gjë në vijë. Është thelluar! Shikoni listën! Ka mjaft njerëz të nderuar që do kishin fituar edhe vetë nqs do kishim një konkurrim të barabartë. Por është listë jashtë konkurrimit, jo legjitime. Është kompetencë e Këshillit Kombëtar, jo e kryetarit. pike…Duhet ta fillonte nga ju, t’i bënit ju rekomandimet”, tha Selami.

“Duhet t’i jepet fund idesë që mund të qeverisim me Partinë Socialiste. Ju po shkoni të bëni koalicion me Partinë Socialiste ai na mori dhe dyshin me pikturat na vuri dhe një trëndafil. Jo nuk duhet të jemi bashkë. Pjesa dërrmuese e elektoratit nuk do që të qeverisë me PS. Unë praktikisht jam kundër kësaj marrëveshje. Unë si model i ri lidershipi nuk dal të them jam kundër, sepse jeni ju këtu, strukturat që bëni diskutime dhe sugjerime. Do mblidhet Këshilli Kombëtar që do vendosë, grupi parlamentar por dhe Kuvend Kombëtar. Nuk ka gjë më të rëndësishme sa të ndërrosh strategjinë të lëvizës nga fondamentet e së djathtës ku jemi krenar, që e kemi lënë bosh e jemi rrethuar kuq. Nëse vendos struktura të bëjmë koalicion, unë jam nga ata që jam kundër. Do dorëzoj mandatin edhe pse do jem në PD”, tha Selami.

Kandidati Selami tha se më atë kryetar, Partia Demokratike do të ngrihet drejt vlerave perëndimore dhe tek demokracia e brendshme.

“A mund të ngrihemi? Po, duke mësuar dhe nga tradita jonë më e mirë e të qenurit partia më e suksesshme në gjithë Europën Lindore. Një pjesë e madhe këtu ka kontributin e tyre atëherë. Si? Kemi qenë më demokratikë atëherë se tani ne mbledhjen e strukturave, në marrjen e vendimeve. Pse? Sepse me tërë mend nuk dinim shumë për demokracinë, por dëgjonim partnerët tanë ndërkombëtarë, ata që na kanë ngritur e ndihmuar. Me tërë mend nuk dinim shumë për demokracinë por kishim idealin dhe donim të bënim një Shqipëri si gjithë Europa. Me tërë mend nuk dinim aq shumë por e donim me tërë mend Shqipërinë sesa karrigen dhe sesa pozitën tonë. Fatkeqësisht dalë nga dalë këto kohë morën fund”, tha Selami.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: