TIRANE– Kandidati për kreun e Partisë Demokratike, Eduard Selami, e cilëson të pabarabartë garën në të cilën ai merr pjesë përballë Lulzim Bashës. Ai e akuzon këtë të fundit se nuk po mban premtimin për debate të hapura për publikun.

Në një reagim për mediat, ai thotë se debati me Bashën në Korçë nuk ishte i hapur.

Sakaq, ai i kërkon kreut aktual të PD-së që të bëjë publike listën e anëtarëve të partisë që do të votojnë më 22 korrik.

REAGIMI I PLOTE
Të dashur miq.
Gara për kryetar të Partisë Demokratike është në kulmin e saj. Ju falenderoj të gjithëve për mbështetjen që më keni dhënë këtë periudhë.
E kam thënë më parë se kjo garë është e pabarabartë nga ana strukturore por është tërësisht e fitueshme.

Unë dua që PD t’i kthehet edhe njëherë vlerave demokratike dhe perëndimore të saj.
Për këtë, i kërkoj zotit Basha të mbajë premtimin që më ka bërë se debatet mes nesh do të bëhen të hapura për mediat dhe për publikun. Kjo nuk ndodhi në debatin e Korçës.

Së dyti, i kërkoj të bëjë publike listën e anëtarëve të Partisë Demokratike të cilët do të votojnë. Nuk ka asnjë arsye që këto lista të mbahen të fshehta, ne nuk jemi parti e jashtëligjshme. Duhet transparencë. Anëtarët e PD janë krenarë që janë demokratë dhe nuk kanë frikë që të fshehin anëtarësinë ndaj hape partinë zoti Basha!

Së bashku do ta fitojmë këtë garë dhe do dalim më të fortë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb