TIRANË- Katër ditë para zgjedhjeve, Eduard Selami kandidati për kryetar i PD-së i kërkon sërish Lulzim Bashës të japë dorëheqjen. Megjithëse Basha ka vetëngrirë kompetencat e tij, Selami tregon se i ka kërkuar Bashës në Shkodër, ose të japë dorëheqjen ose të votojë atë.

Në një bisedë mëngjesin e sotëm në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News24, Selami u shpreh optimist për mbështetjen e demokratëve. Në lidhje me peticionet e bëra nga degët e PD-së në rrethe, Selami tha se edhe kjo është pjesë e demokracisë. Ai kërkoi sërish analizë për humbjen e zgjedhjeve të 25 qershorit.

“Nëse ne nuk bëjmë analizë të humbjes, për të zbuluar shkaqet humbja do të vazhdojë. Lidhur me peticionet, është pjesë e demokracisë. S’ka asgjë të keqe. Ndaj shqetësimin e kritikëve të Bashës, por jo rrugën. Po duhet të jepte dorëheqjen. Gjithkush në këtë garë duhet të vinte të sillte modelin e tij”, tha Selami, raporton “BalkanWeb”.

Lidhur me listat e anëtarësisë dhe kërkesën e tij për t’u bërë publike, Selami tha se është domosdoshmëri. Ai kërkoi edhe mbështetjen e Patozit në garë.

“Është domosdoshmëri. Basha më i interesuar të mbajë karrigen e kryetarit se të mbajë PD-në të bashkuar. Patozi duhet të ishte në garë të më ndihmonte. Kam propozuar ta fillojmë me një analizë të hapur, nga seksioni, grupseksioni sepse arsyeja e humbjes është shndërrimi i partisë në parti-kryetar. Nëse do bënim një analizë të tillë atëherë do hapnim dhe listat. Të bëheshin anëtarësimet e reja. Të vendoseshim rregulla të pastra loje. Basha po dëmton veten e tij dhe PD-në. për demokratët një arsye më shumë për ta votuar kundër. Zoti Basha me ccdo kusht do që të bëjë gol me dorë por mendoj se demokratët nuk do ta lënë”, deklaroi kandidati për kryetar i PD.

I pyetur nga gazetari Bashkim Hoxha nëse i ndjen disavantazhet me Bashën, Selami tha se po. “Patjetër. Njëherë thotë është vetëngrirë, doli dje në Shkodër si kryetar. I thashë po ti ke ngrirë si dole kryetar. Basha duhet të jepte dorëheqjen. I thashë Bashës në Shkodër, e di që je i pavendosur por o jep dorëheqjen, o më voto mua, ke kohë”, theksoi Selami.

Ai tha se modeli i tij është modeli bashkëkohor i liderit.
“Është modeli që i ka munguar Shqipërisë, i liderit bashkëkohor që i ka munguar qytetarit. Basha është modeli i vjetër i hijes së autototalitarizmit. PD do të fillojë edhe njëherë të funksionojë siç e ka emrin PD. Njerëzit do të vijnë të konkurrojnë për vlerat. Basha ka shkarkuar 20 kryetarë dhe kreun e PD-së së Durrësit që janë zgjedhur me një anëtar, një votë. Do kemi forcë politike ku zhvillohet debati. Me bazën, me akademikët, debat i hapur”, tha Selami.

Ai shtoi se edhe anëtarësia e PD sa po vjen dhe po mbështet më shumë modelin e tij.
“Kjo sa po vjen dhe po rritet. Kjo garë është reale, është në dy modele. Të mbështesim modelin bashkëkohor”, u shpreh ai.

Selami i ka bërë sërish thirrje Patozit të futet në garë për t’i shërbyer PD-së.
“Patozi të vijë në garë. Aty është beteja. Nuk është e lehtë të dalësh para demokratëve, disa edhe të fishkëllejnë, ndonjëherë janë të futur aty. Nuk po i shërben bashkimit po ndarjes, por prapë është vlerë e PD-së. Ata nuk kanë një problem me modelin tim, më qajnë hallin që kam hyrë në një garë të pabarabartë”, tha Selami.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: