Nga: BEN ANDONI*
TIRANE – Shkrimtarja serbe Jasmina Mihajlovic, e shoqja e shkrimtarit të ndjerë serb Milorad Pavic, ka qenë e entuziazmuar me intervistën për median shqiptare. Jo thjesht për interesin ndaj krijimtarisë së të shoqit të saj, përkthyer në të gjithë kontinentet dhe në më shumë se 35 gjuhë, por për nivelin kulturdashës dhe pa komplekse të shqiptarëve. Për Serbinë, ishte e çuditshme që përkthimi në shqip i “Fjalorit të Kazarëve” doli pak pas ri-botimit të tij në gjuhën amtare. Dhe “Fjalori i Kazarëve” ka qenë një libër i përfshirë në programin e leximit letrar të shkollës serbe!, kumton ajo. Së fundmi në Tiranë është përkthyer “Peisazhe të pikturuara me çaj”, një nga krijimet më të mira të korpusit të tij, në një letërsi krejt eksperimetale nga mjeshtri i barokut evropian. Jasmina, në këtë intervistë, ka ndarë me ne opinionet për gjuhën, mënyrën sesi punonte Pavic, kulturën dhe shumë gjëra të tjera. Ajo sot merret me trashëgiminë e tij letrare dhe Qendra që mban emrin e Pavic, drejtuar prej saj, është bërë një pikë që serbët e përdorin si atraksion kulturor në Ditët e Trashëgimisë Evropiane. Ka një karrierë të spikatur, por emri i saj u bë edhe më i njohur kur u lidh me Milorad Pavic, një nga krenaritë e letërsisë ballkanike sllave. Në karrierën e vet, ajo ka punuar në një projekt të titulluar “Kritika Letrare Serbe” në Beograd në Institutin për Letërsi dhe Art, kurse më vonë ka qenë drejtoresha e Këshillit për Promovimin e Kulturës Serbe jashtë vendit. Proza, kritikat dhe esetë e saj janë përkthyer në gjuhët angleze, ruse, sllovene, ukrainaset dhe Greqisht, ndërsa shkruan editoriale për disa revista vendase.
Ndoshta në të gjitha shtetet pak a shumë qeveris një mesatare urrejtje e shurdhër mbi jomesataren
dhe suksesin. Zakonisht ky lloj mobing, le ta quajmë atë kështu, qetësohet me vdekjen e një personaliteti të tillë (si Pavic), thotë ajo mes të tjerave, ndërsa shton më poshtë se: “Megjithatë, të mos harrojmë se Serbia dhe Shqipëria u mësuan nga socializmi për të nxitur një kulturë të harresës”. Dhe, për Jasmina Mihajlovic, e pakuptueshme mbeti fakti sesi shqiptarët e botuan kryeveprën e të shoqit, që i dha aq emër në letrat evropiane…
Një pjesë e serbëve të letrave ende nuk e besojnë se janë tashmë disa libra të Milorad Pavic, përkthyer në gjuhën shqipe në Tiranë. Në të njëjtën kohë janë përkthyer edhe disa shkrimtarë serbë të letërsisë bashkëkohore dhe klasike. Pse është ende kjo e çuditshme për Serbinë dhe serbët, sipas jush?
“Sa ishte gjallë, Milorad Pavic (1929 – 2009) nuk është përkthyer në gjuhën shqipe. Dhe kjo ishte e vetmja gjuhë evropiane, që nuk ishte i përkthyer deri më atëherë!
Në Ballkan, publikisht, si gjithnjë sundon një model ideologjik dhe politik mashkullor ardhur nga koha e kaluar, kurse shkëmbimi ekonomik dhe kulturor lulëzon në mënyrë krejt të pavarur nga impulset atavike.
Por për Serbinë, ishte e çuditshme që përkthimi në shqip i “Fjalorit të Kazarëve” doli pak pas ri-botimit të tij në gjuhën amtare. Dhe “Fjalori i Kazarëve” ka qenë një libër i përfshirë në programin e leximit letrar të shkollës serbe. Ky ishte absurdi! Megjithatë, fati i veprës letrare të Milorad Pavic të pas vdekjes ishte i tillë që konsiderohej shumë më i mirëpritur në të gjitha gjuhët dhe kontinentet sesa në vetë qytetin e lindjes dhe vendin e tij. Fjala është për një zili absolute dhe armiqësi para suksesit të tij. Ndoshta në të gjitha shtetet pak a shumë sundon (qeveris) një mesatare urrejtje e shurdhër mbi jomesataren dhe suksesin. Zakonisht ky lloj mobing1, le ta quajmë atë kështu, qetësohet me vdekjen e një personaliteti të tillë. Në rastin e Milorad Pavic ndodhi krejtësisht e kundërta. E pra, kjo personalisht për mua, është e çuditshme dhe e pakuptueshme.
Megjithatë, të mos harrojmë se Serbia dhe Shqipëria u mësuan nga socializmi për të nxitur një kulturë të harresës”.
Njerëzit të cilët kanë lexuar në vendin tonë “Peizazhe të pikturuara me çaj” kanë qenë të mrekulluar nga stili i pakrahasueshëm dhe ritmi i librit. Si e krijoi këtë stil z. Pavic? Ju lutem, a mund të na shpjegoni diçka lidhur me stilin e tij të të shkruarit?
“Fjala është për ato fjalitë e tij jo të zakonshme! Për përdorimin e fantastikes, ëndrrave, pastaj metodave dhe teknikave të postmodernizmit, e atëherë edhe për diturinë e madhe – atë letrare dhe historike të tij. Eh, po mos harroni se Pavic ishte profesor universiteti, një ekspert i barokut dhe letërsisë popullore serbe e që merrej po ashtu edhe me stilistikën.
Unë mendoj se ndikimi më i madh në stilin e Pavic ka qenë prej letërsisë gojore të Ballkanit, pastaj letërsisë mesjetare, dhe faktit se ai kishte lirinë për t’i lidhur ato me një stil tejet modern dhe dinte të jepte efektin e shtresave të pafund të rrëfimit. Ai ishte eksperimentues në letërsi”.
Edhe njëherë: Si e përjetoni përkthimin e tij të librit në gjuhën shqipe?
“Unë kam qenë me të vërtetë e impresionuar me botimin luksoz të “Fjalorit të Kazarëve” në gjuhën shqipe. Libri duket i fuqishëm. Pastaj, edhe botimet e dy librave “Khazar…” dhe “Strašne ljubavne price”, që është përkthyer nga z. Nikola Sudar (së fundmi, kujtoj se ai fitoi edhe një çmim ndërkombëtar për përkthimin) janë bërë në mënyrë tejet profesionale. Në çdo rast, unë kam qenë e kënaqur në të gjitha nivelet e bashkëpunimit me botuesin e Onufrit”.
A njihte z. Pavic, kur ishte gjallë ndonjë shkrimtar shqiptar, si Ismail Kadare përshembull?
“Po, ai e njihte Ismail Kadarenë. Ishin parë me njëri-tjetrin në konferenca dhe takime nëpër botën letrare. Ai gjithmonë ka theksuar se ishte i impresionuar sesi shteti shqiptar kujdeset për autorin e saj, edhe pse ai jeton jashtë vendit”.
Çfarë mendonte realisht për shqiptarët? A keni ndonjë lloj lidhje e ju të dyve me vendin tonë?
“Shqiptarët gjatë shekullit XX ishin fqinjët tanë. Unë jam e lindur në Nish dhe kam pasur në klasë dy vajza shqiptare me të cilat jam shoqëruar shpesh. Por atëherë ishim jugosllavë, dhe fakti se nga cili komb ishe dhe çfarë feje kishte dikush në përgjithësi nuk kanë qenë relevante. Njeriu e kishte rëndësinë pas emrin të vet. Një qenie njerëzore, pra.
Nga ana tjetër, ne shpesh, unë dhe Pavic, shkonim në Korfuz dhe ktheheshim me pamje kah Shqipëria duke iu gëzuar peizazhit të maleve të fuqishëm, duke kërkuar nga ajri këtë pjesëz të mbledhur gjeografike të Ballkanit, që mbaronte me plazhet e bukura të pafundme me rërë. Atëherë kam pasur dëshirë për herë të parë për ta vizituar këtë vend.
Meqë në Korfuz gjithmonë kemi qëndruar në të njëjtin hotel, i cili mbështetet në majë të një kepi, ne e kemi quajtur atë “dhomë me pamje kah Shqipërie.” Ishte e mrekullueshme.
Përpos, të dy ne e kemi dashur përshkrimin e Shqipërisë bërë nga shkrimtari i vjetër serb dhe udhëtari në Epokën e Iluminizmit – Dositej Obradoviç. Pavic, madje, edhe ka shkruar parathënie për librin e famshëm të Dositelj ‘Zivot i dozivljaji'”2.
Kam lexuar disa nga shkrimtarët tuaj të cilët shpreheshin për z. Pavic sesi e kishin njohur gjatë jetës së përditshme. Ai ishte krejtësisht i ndryshëm shikuar prej tyre, krahasuar me të tjerët. A mund të na e shpjegoni shkurtimisht se si ai e kalonte kohën e tij ose një ditë të zakonshme?
Çfarë bënte zakonisht apo atë që ka lexuar më së shumti?
Çfarë kohë të ditës ka përdorur për të shkruar?
“Ai nuk kishte një kohë të caktuar të ditës për të shkruar. Përkundrazi, duhet thënë se shkroi vazhdimisht, ditë e natë. Kudo. Në fletoret, mbi peceta, në hapësirat bosh të faqeve të librave që lexonte … Disa miq, me shaka thonë se Pavic shkroi madje edhe mbi konfeti3! Por, ai ka shkruar me dorë dhe me laps, në të gjitha pozicionet, duke përfshirë edhe pozicionin e shtrirë. Pastaj të gjitha janë hedhur në kompjuter. Dhe pastaj ishte me disiplinë gati ushtarake, kur libri do përparonte në proces. Ai ka punuar mbi të për një kohë të gjatë. Nëse neve, për shembull, na ka kumtuar solemnisht se e mbaroi dorëshkrimin, kjo do të thoshte se do kishte edhe një tjetër vit për të punuar në të!
Ka lexuar absolutisht gjithçka! Lexues i pasionuar. Fiction, i kohës së vjetër dhe të sotmit, ndiqte me kujdes se çfarë po ndodhte në letërsinë botërore (sepse ai fliste anglisht, frëngjisht dhe rusisht), ka lexuar eseistikë, historiografinë, horrorin modern, Bestsellers, edhe pse shkrimtarët e tij të preferuar të vjetër mund t’i ketë lexuar pafundësisht!
Kemi dashur të udhëtojmë në galeritë e mëdha të botës, t’frekuentonim restorantet e mira, baret, pëlqenim shëtitjet në natyrë, udhëtimet, kemi luajtur së bashku në lojëra kompjuterike për të rriturit, kemi adhuruar të këqyrnim fasadat në Beograd dhe qytete të tjera. Ne jetonim shumë intensivisht. Vazhdimisht në marshin e pestë”.
Më parë keni thënë se Pavic jeton më shumë jashtë Serbisë sesa në vetë Serbinë. A mendoni se serbët e sotëm nuk e respektojnë dhe pse?
“Duhet që të ndajmë lexuesit dhe shkallën kulturore në Serbi. Lexuesit serbë e duan Pavic. Është krijuar një heshtje, e cila është më e keqe sesa kur ju e urreni apo e sulmoni dikë. Unë mendoj se është e mjaftë për të thënë se ai e ka një monument në qendër të Beogradit nga ana e Azerbajxhanit, një bust përkujtimor në shtëpisë në të cilën ai jetoi – nga rusët! Por Pavic ka lindur në Beograd dhe të gjitha ia ka lënë trashëgim qytetit të Beogradit”.
Dua të jem korrekt për një fakt. A është e vërtetë se në kohën e tashme Akademia Serbe dhe institucionet kulturore janë indiferente për Pavic?
“Qëndrimi i Akademisë Serbe të Arteve dhe Shkencave është përmirësuar disi që nga menaxhimi i ri në krye të këtij institucioni. Por qëndrimi i përgjithshëm i institucioneve kulturore ka mbetur i njëjtë. Heshtja, indiferenca, pakujdesia dhe tendenca për ta harruar.
Aktualisht Pavic, pas vdekjes, po bëhet shumë më popullor në botë, sesa ka qenë në të gjallë. I janë përkthyer libra, luhen shfaqje teatrore, në universitetet në mbarë botën janë duke u organizuar seminare, mbrohen teza doktorature … Në Francë, tani po ribotohet “Fjalor i Kazarëve”, madje është shitur në një muaj dhe libri është në listën bestseller. Në Kinë, i njëjti libër para dy viteve u shpall “Libri i Vitit””.
Pse në veprën e tij është kaq shumë e përfaqësuar tema e shekujve të shkuar dhe ato fetare? A është i vërtetë përcaktimi: ” Shkrimtari fundit i traditës së Hilandarit?
“Pyetjen nuk e kam të qartë?! Çdo shkrimtar zgjedh temat që i përshtaten më së shumti! Por tamam mendoj se tek Pavic keni ndjenjën e pafundësisë, të gjithëkohësisë dhe s’është e qartë për lexuesin nëse bëhet fjalë për të kaluarën e thellë apo të ardhmen. Unë jam duke folur, natyrisht, për të gjithë corpus-in letrar të Pavic.
Pavic nuk ishte një shkrimtar i politikës së ditës, gjë që duket fare e qartë, por as edhe një shkrimtar për temat thjesht historike (si p.sh.. Ivo Andri?), më së pari ishte dikush që përpiqej për të ecur përpara në letërsi, për të eksperimentuar. Dhe ishte edhe një rrëfimtar racash, diçka si rapsod, diçka si një Sheherazade mashkull, të themi …
Pavic për veten e tij thoshte se ai ishte “bizantini i fundit”, sepse vepra e tij letrare është e dominuar nga fryma e Ballkanit, Mesdheut dhe Evropës Qendrore. Sepse përmes punës së tij tregohet një zonë e tërë gjeografike e cila para pushtimit osmane i përkiste një pjese të stërmadhe të Komonuelthit bizantin.
Evropa Perëndimore në Eurocentrizmin e saj të ngushtë e të moçëm harron lindjen e dikur ish-Perandorisë Romake të Lindjes, Bizantit, djepit të Evropës moderne të krishterë.
Personalisht, duke qëndruar së fundmi në Azerbajxhan dhe Gjeorgji, jam bindur se këto janë vende evropiane, të cilat vërtet i kanë ndarjet gjeografike, por ato nuk janë të dukshme, madje as edhe në prognozën e motit! Dhe si mund të lihen ato jashtë vetëdijes së evropianit Qendror! Libri im i ri, “Na obali Hazarskog mora “, i cili përbën një itinerar të veçantë për Azerbajxhan, flet për një pjesë që unë kam qenë e befasuar duke ikur në Baku se kjo ishte Evropa. Unë kisha një paragjykim. Tani ato janë shpërndarë”.
Kur “Fjalor i Kazarëve” u bë një bestseller, kritikët e botës kanë thënë se ky është “romani i parë i shekullit të 21-të.” A mendoni se tani që jemi në shekullin e 21-të, që ky shekull s’është aq i mirë për Milorad Pavic?
“Nuk ma ha mendja. Kam botuar që pas vdekjes së Pavic pothuaj 99 libra të tij në mbarë botën. Madje kam arritur t’i kem në versionin e-book, më pas si libra elektronikë, dhe e kam pothuajse të gjithë punën e Pavic në përkthimin anglisht. Tani rusët janë duke u përgatitur që romanet e tij t’i promovojnë në formë elektronike në gjuhën ruse dhe kinezët janë duke e bërë “Fjalorin e Kazarëve” në formë dixhitale. Kur është fjala për “Fjalorin e Kazarëve” formë elektronike është më e përshtatshme për të, sepse përmes lexuesit mund të kërcehet nga udhëzimi në një tjetër udhëzim, e cila nuk ishte aq e rehatshme, të themi, kur libri është në formë analoge, në formën e letrës të shtypur, në formën e daktilografuar.
Prandaj, “romani i parë i shekullit të 21” ka marrë rrobën që i takon të shekullit XXI, mori në një mjedis dixhital mundësinë për një mënyrë leximi vërtetë të linkuar.
Të rinjtë në mbarë botën e njohin këtë stil shpejt dhe lehtë, nuk është më i çuditshëm për ta, janë të përshtatur me gjërat në rrjetet globale dhe që vetë të arrijnë të mbledhin të tërën nga pjesët. Sot, madje edhe foshnjat – janë jolineare. Në fund të fundit çdo njeri, mendimi i tij, është i degëzuar, jo-linear. Edhe truri ynë nuk funksionon më në vijë të drejtë”.
Sipas mendimit tuaj, çfarë mendojnë tani serbët për veprat e Pavic?
“Pavic-in tani, si klasik, e kanë gjetur lexuesit e rinj dhe për ta ai është i afërt, pikërisht prej këtij aspekti të lojës dhe lirisë së leximit që ai vetë ofron por i kanë mbetur besnik dhe lexuesit e vjetër, të cilët duan letërsinë e cilësisë të lartë, e cila nuk zgjat vetëm një ditë. Institucionet zyrtare dhe individët e fuqishëm ende nuk e tolerojnë ashtu siç bënë edhe në jetë, vetëm e fshehin. Politikanët janë indiferentë, sepse ata nuk janë të interesuar për trashëgiminë kulturore pasi ajo është e papërdorshme në qëllimet politike dhe kështu Milorad Pavic edhe për një kohë do të jetë një figurë e diskutueshme për shkak se nuk mund të përdoret me lehtësi dhe të radhitet në ndonjë kamp për përfitime afatshkurtër. Individualistët nuk janë të mirëpritur në shekullin XXI.
Në mënyrë intime mendoj se serbët janë të frikësuar pak nga fakti se atyre u lindi një madhësi e tillë dhe tani nuk e di sesi të pozicionohet në këtë drejtim “eksesi”. Edhe pse historia e qytetërimit ka ndodhur gjithmonë se njerëzit e mëdhenj janë keqkuptuar, keqtrajtohen, përndjekur, në kohët e mëparshme edhe janë vrarë. Është më thjeshtë kështu. Suksesi nuk falet aq lehtë”.
Kur e lexon “Fjalorin e Kazarëve ” dhe pastaj edhe ‘Peizazhe të pikturuara me çaj ” është shumë e vështirë për të besuar se ato janë përgatitur në një jetë të vetme. Çfarë personalisht mendonte ai për punën e tij?
“Para vdekjes ai i ka rilexuar të gjithë librat e vet dhe më ka thënë se ishte i kënaqur me punën e tij. Pavic ishte një njeri i lumtur, plot jetë dhe entuziazëm dhe vdiq me stil, sepse ai nuk ka dashur të jetë kurrë një yll. Ai ishte një zotëri në jetë dhe kështu mbeti edhe në vdekje”.
Kur u kam shpjeguar njerëzve në Shqipëri se dua të përkthej Pavic, ata që mëtonin se e njihnin (më së shumti shqiptarët nga Kosova), më kanë thënë se ai ishte një nacionalist i vërtetë dhe kundërshtar i shqiptarëve! A ka diçka në jetën e tij që mund ta vërtetojë këtë?
“Absolutisht nuk ka asnjë deklaratë, qëndrim, mënyrë trajtimi, e cila do ta konfirmonte këtë pikëpamje. Përveç kësaj, të mos harrojmë se “Fjalori i Kazarëve” është një libër në lidhje me tri fetë, dhe sipas mendimit tim, por edhe sipas mendimit të autorit, “Libri i Gjelbër”, libri mysliman, ishte më i suksesshmi, më i arrituri! Unë mendoj se kjo përbën një përgjigje e mjaftueshme. Dhe “Kazarët” është i përkthyer në 36 gjuhë !!!
Gjithashtu, të mos harrojmë se Pavic ishte shkrimtar më i përkthyeri serb i viteve ’90 të shekullit të kaluar në hapësirën e Ballkanit. Mbase duan që t’i bashkangjisin diçka? Kështu globalistët e kalojnë tek nacionalistët, nacionalistët tek globalistët. Kur ai ishte dhe mbeti vetëm një shkrimtar i madh”.
Mendoj se do e keni të vështirë tani e vetme për të redaktuar dorëshkrimet e tij….madje ju duhet të përgatisni vetë krejt dorëshkrimet e tij? Po çfarë saktësisht po ndodh me trashëgiminë e Milorad Pavic?
“Trashëgimia e Milorad Pavic hapet për vizitorët gjatë Ditëve të Trashëgimisë Evropiane, por gjatë të gjithë vitit në të vinë studiues të pjesëve të letërsisë nga e gjithë bota. Profesorët, studentët, studentët, doktorantë, gazetarë, përkthyes, artistë të frymëzuar nga puna e Pavic … Unë jetoj në muze dhe jam përgjegjëse për jetën publike!
Merrem me redaktimin e sitit trigjuhësor www.khazars.com, duke bashkëpunuar me botuesit, përkthyesit, redaktorët teknike, regjisorët, mbaj leksione nëpër botë, sinqerisht nuk e ngre kokën nga puna dhe kjo është vërtetë një habi që ia kam dalë të botoj pas vdekjes së Pavic librat e tij, dhe së shpejti, po përgatis edhe një të ri . Edhe pse ngandonjëherë ndodh që nuk e di se cila jam, sepse tani paraqes dy shkrimtarë”.
Shënime
1-Sulm mbi një person-angl. në origjinal.
2-Jeta dhe Aventurat.
3-Copëza letre ose shiritash që përdoren në festa
(er.nu/Milosao/BalkanWeb)