Nga: DR. HASAN LUÇI*
Pritja zyrtare, nënshkrimi i marrëveshjeve dypalëshe, fjala e kryeministrit shqiptar, Edi Rama në Beograd më 10 nëntor 2014 dhe ajo në sheshin “Liria” në Preshevën etnike shqiptare, janë pa mëdyshje një ogur i mirë historik, gur themeltar, një epokë e re që u hap në marrëdhëniet, pas konflikteve të gjata e të përgjakshme, me sllavët e jugut, me pak vite qetësie relative, me provokime propagande e provokacione kufitare, krejtësisht në çdo kohë të vjetër e të re, për synime kolonizuese e për faje të politikës së mbretërive e federatës jugosllave ndaj trojeve etnike historike shqiptare. Për këtë kufi që u vuri te thana, si thotë populli ynë, dhe për këto arritje, që s’janë pak, kryeministri Rama duhet uruar se guxoi për herë të parë gjatë tranzicionit, pa iu dridhur qerpiku, të thotë të vërtetat bazë që kërkojnë shqiptarët nga shteti serb në kushtet e sotme drejt së ardhmes. S’ka qortim për z.Rama për qëndrimin në Beograd e Preshevë; kush flet kundër, ka arsye të tjera, të cilat janë të njohura me kohë. Sot shqiptarët duhet të jenë së bashku kudo.
Mjaftoi pohimi i së vërtetës së pamohueshme e të pakthyeshme në ditët tona dhe kërkesa kushtetuese ligjore për njohjen e lirisë e pavarësisë së Kosovës dhe pakicave shqiptare etnike nën Serbi, barazia shtetërore dhe e popujve tanë pa rezerva, që sërish në kor serbomëdhenjtë të mohojnë liritë e të drejtave njerëzore të shqiptarëve për vetëqeverisje, duke përsëritur si papagalli “Kosova është Serbi”, “Kosova është djepi i Serbisë”, e të tjera mite kolonistësh të pandreqshëm. Kryeministri serb Vuçiç, jo vetëm nuk bëri detyrën diplomatike, sipas së drejtës ndërkombëtare, duke thyer norma normale në të tilla raste, si pritja që nga aeroporti e pritja në pallatin “Serbia” pa praninë e valëvitjes së flamurit kombëtar shqiptar, e të tjera veprime e mosveprime, por z.Vuçiç u nxeh keq dhe doli nga vetja si shtetar e diplomat, duke e cilësuar provokim disa herë dhe duke mbyllur veshët, për të mos e dëgjuar z.Rama në të drejtën e pamohueshme të fjalës së tij si shtetar sovran dhe si koleg që ishte atje për arsye pune dypalëshe. Ai gjoja u justifikua se tema e Kosovës qenka tabu për ta përmendur në tavolinat dypalëshe serbo-shqiptare, por atij nuk duhej t’i shkonte ndër mend se z.Rama si kryeministër shqiptar do ta mbyllte gojën për të drejtat sovrane të Kosovës dhe të shqiptarëve për hatër të një takimi sipas diktatit serb, të cilit i ka kaluar koha që me Esat Pashë Toptanin, Ahmet Zogun legalist, dhe ballistët e të tjerë shërbëtorë të tyre, të cilët dje i furnizuan me karburant serbët në luftërat për hegjemoninë moderne, apo që deri sot u dhanë lehtësira për projekte ekonomike pro serbe, në kurriz të tërë shqiptarëve, në dy shtetet e sotme dhe në trojet etnike jashtë tyre, ngjitur në kufij të ndarë tragjikisht në 1913-ën me diktatin e Fuqive të Mëdha mike të serbëve. Z.Vuçiç kaloi në heshtje ato qëndrime publike të turmave serbe e zyrtarëve serbë, para, gjatë e pas ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri në Beograd, apo para vajtjes e gjatë qëndrimit të z.Rama në Beograd e Preshevë. Z.Rama nuk e provokoi z.Vuçiç për t’i kërkuar llogari për të gjitha ato veprime e mosveprime serbe, zyrtare ose jo, që treguan hapur para botës mbarë, e cila u befasua sërish me racizmin e britjet arrogante me thirrje për vrasje të shqiptarëve etj. etj., të ngjashme me ato të gjenocideve serbe në vite kundër shqiptarëve edhe në Kosovë para pak vjetësh. Z.Vuçiç bën sikur harron se nga hegjemonia serbe shpëtuan përfundimisht popujt që bënin pjesë në ish-mbretëritë e federatën titiste. Pse i dhembka vetëm shkëputja e Kosovës? Apo ai e shpura zyrtare e turmore serbe mendojnë ende se shqiptarët s’bëjnë dot shtet etj. përbuzje çmendarake, dhe duhet t’u bëjnë fresk padronëve sllavë primitivë edhe në kohën e sotme, pasi shqiptarët morën kryesisht fatet e tyre në dorë dhe do ta çojnë më tej, deri në përfundim, gëzimin e lirive dhe të drejtave njerëzore si komb i barabartë me gjithë anëtarët e OKB-së?! Si u gjykuaka kështu nga z.Vuçiç e të tjerë nën e mbi të, si qeveritarë atje, për ecjen e popujve ballkanas në rrugën integruese e globalizuese në BE etj. institucione ndërkombëtare, siç po ecet sot?!
Si është e mundur që serbët, të mbetur edhe vetëm apo me mikun e madh pansllav Rusinë, pak larg, ende frymëzohen e veprojnë me shkopin e dirigjentit politik, ekonomik, kulturor e fetar ortodoks, duke mbajtur ndezur fitila baruti për synime të reja kolonizuese në të ardhmen?! Kjo kokëfortësi e miopi politike e bijve dhe bijave të Pashiçit, titizmit, Millosheviçit etj., ndjell fatkeqësi të tjera nëse do të ecet në humnerat e derisotme, siç kërkon edhe krimineli i liruar këto ditë nga Haga.
Pikërisht z.Rama, në emër të hapjes së një epoke të re për pajtim e miqësi të shqiptarëve me serbët në sfidat e së ardhmes, duke shmangur çdo veprim e armiqësi të së kaluarës tragjike, kumtoi, siç e gjykojnë shqiptarët, për ta njohur realitetin e sotëm dhe për të na njohur si të barabartë në çdo fushë njerëzore dhe për të ecur përpara në interes të popujve tanë, të Ballkanit të shumëvuajtur dhe të BE-së. Ky mision kushtetues e historik nuk është vetëm i shqiptarëve, por edhe i ndërkombëtarëve, miq a dashamirës të serbëve, të cilët gjithashtu u shokuan dhe u zemëruan me qeveritarët serbë në detyrë pas qëndrimeve të tyre as diplomatike, as qeverisëse, as mirënjohëse, për çka e ndihmojnë Serbinë të dalë nga tuneli i kolonizimeve të shkuara, t’u japë fund armiqësive me fqinjët, të kërkojë falje për gjenocidet ndaj tyre, të futet në rrugën normale të integrimit europian për hir të popullit të vet dhe për t’u parë Serbia, krahas të tjerëve, në rrugën e përparimit bashkëkohor. Shqiptarët e bënë tashmë dhe do ta bëjnë detyrën për t’i ndihmuar, me kusht që të na respektojnë dinjitetin tonë kombëtar. Asnjëherë dhe asnjë të keqe nga shqiptarët nuk kanë pasur serbët dhe popujt e tjerë të Ballkanit, përkundrazi, shqiptarët kanë pësuar prej tyre, siç dëshmon historia deri sot.
Por fatkeqësisht Serbia po bën ende provokime jo vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj BE etj. Ajo i jep shenja për ta mbrojtur Rusia si bastion pansllav, megjithse Rusia tashmë ka halle më të mëdha për veten nëse do të ngulmojë ende në rikolonizime ndaj fqinjëve shtete sovrane, gjë që do ta përballë me BE, OKB, NATO e më gjerë në gjeopolitikën e sotme. BE-ja duhet ta thellojë më tej qëndrimin kundër sjelljes kaposhe e të përkëdhelur serbe, pasi BE, OKB e NATO nuk janë thelluar asnjëherë në njohjen e platformave akademike serbomadhe, që nga Naçertania e 1844, deri te ajo millosheviçiane dhe vendimet e fuqive të mëdha evropiane pro Serbisë, që nga Kongresi i Berlinit, Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913, ajo e Dejtonit etj., të cilat u bënë në kurriz të shqiptarëve etnikë në trojet e veta. SHBA e BE-ja e shpëtuan Kosovën nga gjenocidi serb në 1999, por ta themi haptas e pa doreza, se ka ende rezerva jo të vogla që mbështesin praktika e politika serbomadhe në fusha të ndryshme në Ballkan. Duhet t’i jepet fund orekseve hegjemoniste serbe në Ballkan dhe mbështetjes së tyre edhe nga qarqe të tjera ballkanase antishqiptare ende sot. Për këto arsye e titullova këtë shkrim “Serbia në rrjetën shqiptare”, pasi Serbia sot po përballet kryesisht me shqiptarët dhe duhet t’i pranojë si të barabartë, ndryshe keq për të, se askush sot nuk do t’i lejojë serbët të ndjekin politikat mesjetare në Ballkan e më gjerë. Topi është në fushën e tyre dhe kanë shansin ta shpëtojnë veten nga dëmet e mëtejshme në të ardhmen, siç i shkaktuan vetes së tyre deri sot.
Për ta sqaruar e bindur më tej BE-në, OKB-në, NATO-n e tjera institucione ndërkombëtare për gabimet dhe fajet e politikës serbomadhe, Shqipëria dhe Kosova, si shtete të pavarura dhe të bindura në rrugën e përbashkët integruese europiane dhe euroatlantike, duhet të bëjnë disa hapa seriozë: Së pari, të kërkojnë hapjen e arkivave europiane plotësisht mbi copëtimet tragjike të trojeve etnike, natyrore e historike të shqiptarëve, duke bërë transparencë të plotë e objektive për tërë botën mbarë. Kjo është një domosdoshmëri historike dhe BE të kërkojë falje për veprimet e bëra në dëm të shqiptarëve, duke marrë masa për mospërsëritjen e tyre sot e në sfidat e së ardhmes europiane. Së dyti, Shqipëria dhe Kosova duhet të mobilizojnë akademitë e tyre, historianët e studiuesit, për t’i paraqitur objektivisht dhe jo me përçarjet skandaloze mes tyre, të vërtetat mbi historinë shqiptare në luftërat me pushtuesit e ndryshëm dhe dëmet njerëzore e materiale që kanë pësuar prej tyre, pse jo edhe duke kërkuar dëmshpërblime morale e materiale të mundshme, veç atyre territoriale për integrimin etnik kombëtar shqiptar dhe rrugëtimin e tij të barabartë me kombet e tjera në Europë e në botë. Edhe kërkesa e E.Hoxhës bërë Titos e konferenca e Bujanit, me arkivat e tjera, duhen bërë më të njohura. Së treti, Shqipëria dhe Kosova të nxisin njohjen më së miri të trevave shqiptare jashtë kufijve tanë dhe t’u jepet ndihma e nevojshme vëllazërore për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të tyre sot e në të ardhmen, sipas mundësive reale dhe konventave ndërkombëtare për shqiptarët që janë forcë shtetformuese në Maqedoni, Mal të Zi, Greqi, pa lënë jashtë kujdesit kombëtar shqiptar asnjë fshat e cep me banorë me shumicë a pakicë shqiptare. Në këto drejtime me rëndësi, pavarësisht halleve të dy shteteve tona, ka jo vetëm mangësi e indiferencë, por fatkeqësisht një politikë ende dritëshkurtër deri në fajësi kombëtare, se koha nuk pret, kjo kërkon zgjidhje urgjente të menduara e të peshuara mirë, me mënduri e drejtësi. Së katërti, Shqipëria dhe Kosova, në radhë të parë, duhet të marrin masa urgjente kundër ngërçeve, grindjeve, përçarjeve etj. partiake, krahinore, fisnore, klanore, militante, që po gërryejnë bashkëpunimin e bashkëveprimin për qeverisje normale, siç po ngjet fatkeqësisht në tranzicionet tona në Shqipëri e Kosovë, po edhe me shqiptarët në Maqedoni e Mal të Zi, duke eliminuar edhe agjenturat serbe në veprim. Kërkohet luftë urgjente kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve të çfarëdoshme, normalizimit të çështjes së pronës private, të drejtësisë në gjykatat e ndryshme, në lëmin ekonomik, arsim, kulturë, shëndetësi etj. Pa shëndoshjen e gjendjes së brendshme në Shqipëri e Kosovë, nuk mund të kemi shëndoshje marrëdhëniesh as mes shqiptarëve në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi, dhe pse jo edhe në Greqi e në diasporën shqiptare në botë. Shqiptarët duhet të flasin njëzëri për të drejtat e liritë e tyre kudo ku janë, para çdo populli e qeverie të huaj, ashtu siç bëjnë kombet e tjera. Gjendja e sotme, në Shqipëri, në Kosovë e gjetkë mes shqiptarëve në krizë politike e ekonomike, duhet të marrë fund, ndryshe papërgjegjësia dhe përgjegjësia e tërë faktorëve shqiptarë do rëndohet më tej, pa dyshim me gjuhën armiqësore mes partive të çdo ngjyre e krerëve të tyre. Duhen larguar sa më parë nga pushteti ata që shkatërruan Shqipërinë gjatë tranzicionit dhe ata që sabotuan luftën e UÇK-së në vite. Nëse nuk shërojmë veten ne shqiptarët e kudondodhur, faktorët fqinjë e ndërkombëtarë do na nëpërkëmbin ndoshta edhe më keq se forcat politike e të korruptuara ekstreme, do të na dëmtojnë më tej dhe turpi na mbetet i pashlyer.
Për këto arsye, shqiptarët duhen ndërgjegjësuar e të veprojnë së bashku pa vonesë. Duhet të shkurtojmë sa më parë periudhën e tranzicioneve, të mos bëhemi imitues të gjithçkaje të të tjerëve, por të gjejmë rrugën kombëtare të traditave e vlerave të vyera që kemi në shekuj. T’i jepet fund kaosit mendor, politik e arsimor, duke bërë përmirësim të dukshëm moral, politik e të traditave tona, që i cenoi rëndë tranzicioni gjoja demokrat i sharlatanëve e karavidheve politike. Rilindja e shqiptarëve kudo në këtë shekull të ri ka rëndësi vendimtare, siç patën, lufta e shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut, kryengritjet shekullore antiosmane, Lidhja e Prizrenit, shpallja e Pavarësisë nga Ismail Qemali, lufta kundër agresionit grek në jug në vitet 1912-1914, Kongresi i Lushnjës e Lufta e Vlorës në 1920 kundër pushtimit italian, LANÇ-i më 1939-1944 në trojet shqiptare kundër pushtuesve fashistë, fitorja e shqiptarëve krahas aleancës antifashiste botërore, lufta e UÇK-së dhe pavarësia e Kosovës më 2008-ën, që janë themelet e mbijetesës dhe së ardhmes së shqiptarëve. Kjo është përgjegjësia, nderi e krenaria e shqiptarëve para botës mbarë; të mos humbasim kohë e të jemi vigjilentë për të mbrojtur veten më së miri këtej e tutje, se koha po na ndihmon, është shekulli ynë i përparimit ekonomik e kulturor, pasi trojet shqiptare janë të pasura me gjithçka na duhet.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: