TIRANË- Diplomati i njohur shqiptar, njëherësh ish-ambasador në Maqedoni, Shaban Murati komentoi sot në rubrikën “Opinion” në News 24 zgjedhjet në Maqedoni dhe zhvillimet politike që do pasojnë pas tyre, ku faktori shqiptar atje pritet të jetë sërish vendimtar për krijimin e qeverisë.

Sipas Muratit, zgjedhjet nuk e zgjidhën krizën e tejzgjatur politike në këtë vend. “Pra kemi një krizë që do të vazhdojë pavarësisht se si do jetë koalicioni që do bëhet për të krijuar qeverinë”,- tha ai.

Murati shtoi më tej se vota e 11% të shqiptarëve që shkoi për opozitën maqedonase nuk është lexuar siç duhet. “Ka lexim jo të saktë të asaj që ndodhi me zgjedhjet lidhur me votën e shqiptarëve që shkoi për opozitën. Në Maqedoni pati ndeshje interesash, jo idealesh. Lëvizja e tyre nuk ishte në interes të çështjes kombëtare. Ne atje kemi një çështje kombëtare të pazgjidhur, jo një çështje politike. Faktori shqiptar nuk mund ta zgjidhë çështjen e vetë nëpërmjet opozitës maqedonase…”,- tha Murati.

“Duket se shqiptarët duke qenë të pakënaqur e sheshojnë programin kombëtar të tyre me programin e njërës apo tjetër parti maqedonase, ky është një gabim strategjik sipas mendimit tim”,- theksoi ai më tej.

Diplomati shqiptar, thotë se rruga që duhet të ndjekin partitë shqiptare është presioni për të zgjidhur çështjen e tyre kombëtare.

“Partitë shqiptarë nuk kanë arritur objektivat kombëtare, detyrohen të shkojnë në një proces ideologjik, jo kombëtar. Ajo që duhet të bëjnë shqiptarët? Të bëjnë presion ndaj faktorit maqedonas për të realizuar qëllimet e tyre”

Ndër të tjera Murati shtoi: “Uroj që forcat e reja politike shqiptare të mos ndjekin skemën e 24 viteve të fundit pasi do detyroheshim të shikonim një rreth rrotullo të interesave të shqiptarëve të cilët do jenë gjithnjë qytetarë të dorës së dytë”.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: