Xherdan Shaqiri është një nga lojtarët më të mirë që ka pasur dhe ka Zvicra. Karriera e tij mbart shumë suksese, trofe të fituar me ekipin ku u rrit Bazelin, si dhe me skuadrën më të famshme gjermane Bayern Mynih. Madje ai është lojtari i parë me origjinë shqiptare që ka fituar trofeun e “Champions League”.

Por mbërritja e futbollistit shtatshkurtër në këto nivele nuk ka qenë aspak e thjeshtë. Redaktori i “spox”, Johen Titmar, ka vizituar Shaqirin në shtëpinë e tij në Angli ku i ka bërë edhe një intervistë mjaft interesante 25-vjeçarit kosovar. Në pjesën e parë të intervistës, mesfushori i Stokut dhe Kombëtares së Zvicrës flet për kohët e vështira në fëmijëri, “xhentëlmenin” Jup Hajnkes dhe pakënaqësitë ndaj Guardiolës.

Shaqiri, ju keni lindur në Kosovë dhe u rritët në kushte modeste në Zvicër. Babai juaj ju la vetëm në vitet ’80 për të emigruar dhe punuar në ndërtim në Zvicër. Si ndihej familja në mungesë të babait?
Nga njëra anë babi fitonte para dhe na e lehtësonte jetën në Kosovë. Nga ana tjetër e ndjenim mungesën e tij. Personalisht s’kam shumë kujtime, por kam dëgjuar nga mamaja.

Kur babai ju mori me vete në Zvicër, ju ishit afro 2 vjeç dhe jetonit në një shtëpi të vjetër. Çfarë kujtime keni nga ajo kohë?
Mbaj mend që mbrapa shtëpisë kishte vend për të mbajtur kafshë. Ishte një shtëpi normale që kurrë nuk u rikonstruktua. Bënim si të çmendur në korridor. Për mua dhe dy vëllezërit e mi më të mëdhenj ishte fillimi i një fundi (qesh).

Në moshën 4-vjeçare u futët për herë të parë në një klub futbolli…
Babai ka luajtur vetë futboll dhe ne të gjithë e kishim pasion futbollin. Qendrën stërvitore kishim shumë afër. Shkonim për pesë minuta. Prindërit e mi donin që ne të merreshim me sport për të mësuar disiplinën, në mënyrë që të mos bëheshim rrugaçë.

Më vonë, babai juaj humbi punën dhe ju të tre djemtë kishit shpenzime. Sa e vështirë ishte ajo kohë?

Kishim një standard të ulët jetese. Shpeshherë konsumonim ushqime të thjeshta, që nuk ishin të shtrenjta. Na shijonin gjithmonë. Nuk ishte e thjeshtë për një të ri që shokët e tij të ekipit shkonin për të ngrënë pas stërvitjes, ndërsa ne shkonim direkt në shtëpi. Nuk e kemi rënduar kurrë familjen, sepse ishte normale për ne.

Bashkëjetesa brenda familjes ka qenë e shëndetshme apo jo?
Absolutisht po. Bënim dhe bëjmë për njëri-tjetrin. Ajo çfarë na duhej ishte topi i futbollit, ushqimi, pija dhe gjumi. Më kujtohet ende sesi dy vëllezërit dhe më vonë unë mbuluam shpenzimet për të qenë lojtarë moshash te Bazeli. Në atë kohë duhej të merrje përsipër vetë gjysmën e shpenzimeve. Ishin mbi 1 mijë franga zvicerane. Vëllai Erdin kishte marrë pushimet. Një javë ai punoi si montues vidash syzesh plastike, ndërsa unë korrja barin e komshiut, me qëllim që të fitonim para.

Cili ishte idhulli dhe ekipi juaj i zemrës në atë moshë?

Unë kam qenë gjithmonë fans i Brazilit dhe, më vonë, bëra modelin e flokëve të Ronaldos që kishte në Botërorin 2002. Në moshën 7- vjeçare kërkova me ngulm fanellën e “Fenomeit”. Ma dhuruan, edhe pse ishte imitacion (qesh). Ndërsa klub të preferuar nuk kisha. Dortmundi më pëlqente, sepse luante Tomas Roziçki. Bajerni më dukej atraktiv prej Xhovani Elber. Babai im ishte fans i Shalkes. U rritëm me futbollin gjerman, pasi çdo fundjavë herët shihnim televizionet sportive gjermane.

Në vitin 2000 mbyllët angazhimet me të rinjtë e Bazelit dhe nisët më vonë një kurs për shitje veshjesh, por për shkak se mbushët 18 vjeç e ndërpretë prej futbollit. Si ndodhi?
Në fakt, mora leksione sportive, e cila u ofrua me iniciativë të klubit të Bazelit në bashkëpunim me një sponsor veshjesh. Shkoja në mëngjes dhe punoja në departamentin e shitjeve. Pasdite stërvitesha. Në vitin 2009, kur nënshkrova kontratën e parë profesioniste, nuk pata më kohë.

Kur konstatuat se do të bëheshit vërtet futbollist profesionist?
Kur isha 16 vjeç arrita t’i kuptoja aftësitë e mia. Në eventin “Nike Cup”, në vitin 2007, u shpalla lojtari më i mirë i turneut me U-15. Ky ishte një moment që do ia arrija. Ai vlerësim bëri që njerëzit të njihnin emrin tim. Në atë kohë ishte më e vështirë sesa sot të nënshkruaje një kontratë profesionisti apo të stërviteshe me profesionistët.

Qëndruat për 12 vite te Bazeli dhe fituat me ekipin profesionist dy herë dopietën e titujve. Sa të vështirë e patët në fillim me lojtarët profesionistë?
Kur trajneri Kristian Gros më grumbulloi për herë të parë në një miqësore dhe më la të luaja, nuk mbeti i kënaqur. Isha 16 vjeç. Bëja shumë driblime dhe finte, të cilat nuk ishin në shijet e tij. Në atë kohë isha shumë afër transferimit te Grashopers U-21. Në atë moment, trajneri Gros u shkarkua dhe erdhi Torsten Fink. Me ardhjen e tij, gjithçka shkoi mirë për mua.

Pas afro 20 viteve në Zvicër, sa të vështirë e patët të vendosnit për të ardhur te Bajerni në vitin 2012?
Vendimi m’u imponua, sepse ishte Bajerni. Për më tepër që Jup Hajnkes më donte me patjetër dhe ishte me perspektivë për mua.
Në Mynih jetonit vetëm, larg familjes.
Firmosa në janar për t’u bërë pjesë e Bajernit në verë dhe pata kohë të përgatitesha. Ndonjëherë kisha mall, nga ana tjetër Zvicra ishte tri orë larg. Në vitin e parë jetoi me mua vëllai i madh, Arianiti. Ma lehtësoi jetën. Përsëri na duhej një pastruese. Ishte masa e parë që morëm (qesh).

Sezoni juaj i parë te Bajerni ishte super, aq sa për herë të parë në historinë e klubit fituan tripletën. Hajnkes ju aktivizonte shpesh si titullar. Ndërsa një vit me Guardiolën nuk ndodhi kështu. Pse?
Është e vërtetë që situata ime sportive ndryshoi nën drejtimin e Guardiolës. Nuk pata kurrë problem me të. Për fat të keq u dëmtova disa herë. Isha i pakënaqur, sepse aktivizoheshin lojtarë me nivel më të ulët sesa unë. Ky fakt më zhgënjeu, edhe pse nuk hoqa dorë kurrë të thyeja konkurrencën dhe t’i tregoja trajnerit se çfarë dija të bëja. Ma hiqte trurin.

Çfarë të mire kishte Guardiola?
Stërvitja e tij ishte speciale, e detajuar dhe më bindte. Mjaft argëtuese. Bënim gjithçka me topin. Nën drejtimin e Hajnkes bënim vrap tri herë në ditë si lepuj dhe ndiheshim në formë.

Guardiola njihet për elozhet e tij në publik ndaj lojtarëve. Ju ka lavdëruar edhe juve. Si ndiheshit?
Ishte shumë e vështirë për të gjithë ata që qëndronin në stol. Nuk mund të vija dhe t’i thosha: Teksa më lavdëron, duhet të më lejosh të luaj!

Si e moderonte sjelljen me rezervat trajneri Hajnkes?
Ishte krejt ndryshe. Nën drejtimin e tij e dinim të gjithë se çfarë pozicioni dhe rëndësie kishte secili brenda ekipit. Gomez, Rafinja dhe Gustavo qëndruan në stol në finalen e Champions-it 2013 dhe asnjë prej tyre nuk tha një fjalë të keqe për trajnerin. Hajnkes kishte komunikim të drejtpërdrejtë. Ai ua bënte të qartë më përpara lojtarëve çfarë shkoi mirë dhe keq.

Edhe Hajnkes mund të bënte të rreptin apo jo?
Ai ishte një “gentlemen”, por i prerë. Rregullat e tij ishin njësoj për të gjithë. Nëse një lojtar qëndronte i vetëm para portës dhe nuk pasonte apo tërhiqej, atëherë zëvendësohej direkt dhe ndeshjen e radhës do ulej në stol, sepse rregulli i ishte shpjeguar më përpara prej Hajnkesit.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: