Në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është ekspozuar në Kompleksin për Vizitorët të Qendrës Hapsinore “Kennedy” një veturë për të eksploruar Planetin Mars. Zhvillimi i projektit të kësaj veture ka nisur në nëntor të 2016-ës dhe ka përfunduar në muajin prill të këtij viti, shkruan Business Insider.

Projektimi dhe prodhimi i veturës është bërë nga “Parker Brothers Concept”, një kompani që merret me dizenjimin dhe prodhimin e veturave “të çuditshme”, për filma dhe prodhime televizive. Vetura ka 6 rrota, është prodhuar tërësisht nga fibra karboni dhe alumini dhe punon me energji diellore.

Ajo është projektuar për të akomoduar katër astronautë dhe pjesa e pasme funksionon si një laborator i shkëputur, edhe pse ndoshta nuk do të udhëtojë kurrë për në planetin e kuq. Ky mjet mund të arrijë një shpejtësi maksimale prej 95-110 km/orë, por ende nuk bëhet e ditur kostoja e tij.

 (BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb