*Kumbaro nuk mban premtimin
TIRANE– “Dikush pyeti per fatin e basoreliefeve. Ja ku kane perfunduar basoreliefet me gjithe stadium (me gjithe statusin Monument Kulture”. Kështu shkruan Forumi per Mbrojtjen e Trashegimise Kulturore ndërkohë që zotimi i ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, ka qenë se pjesa hyrëse e stadiumit “Qemal Stafa”, duke u konsideruar si historike, do të mbrohej me çdo kusht.
Ministrja Kumbaro
“Projekti ruan dhe respekton historinë kulturore dhe sportive të stadiumit “Qemal Stafa”, pasi ruan pjesën e fasadës, e cila integrohet në projektin e ri. Jemi përballë fasadës në të cilën kemi pikërisht pjesën e konsideruar si monument kulture nga vendimi i fundit i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve. Kemi bashkëpunuar me studion e arkitektëve të cilëve iu është bashkuar ekspertiza e Palazzo Spinelli-t. E reja është që në rezultatin e fundit që do të vijë të prezantohet para KKR-së javën që vjen, fasada do të ruhet siç është, jo vetëm do të ruhet por do të jetë pamja ballore e stadiumit dhe do të jetë edhe funksionale për të shërbyer për të njëjtin funksion hyrës siç ka shërbyer gjithë këto vite. Ne kemi ruajtur këtë projekt, e konservojmë të plotë dhe e risjellim në projektin e ri kështu siç është”, tha Kumbaro pak muaj me parë.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me fasadën e stadiumit ‘Qemal Stafa’, duke pohuar se kujëvënësit profesionistë kanë vënë alarmin për basorelievet që turpëronin edhe Realizmin Socialist dhe se sipas tij kanë kryer misionin e tyre të shëmtimit. Me anë të një statusi në rrjetin social “Facebook” Rama tha se fasada monument kulture po trajtohet me të gjitha standardet profesionale nën mbikëqyrjen e Institutit të Monumenteve të Kulturës në bashkëpunim me qendrën italiane të ekselencës në restaurim Palazzo Spinelli.
STATUSI I RAMES
“NJE VEPER BRENDA VEPRES KTHIMI NE IDENTITET I FASADES SE ARENES KOMBETARE
Kujevënësit profesionistë që argument kanë injorancën kanë vënë alarmin (për dy basorelieve pa asnjë vlerë, që tutkunët e regjimit të vjetër i’a mballosën fasadës së “Qemal Stafës”) dhe po bërtasin që po dëmtohet trashëgimia kulturore? Ato basorelieve që turpëronin edhe Realizmin Socialist, e kanë kryer misionin e tyre të shëmtimit e nuk hyjnë askund si vlerë e trashëgimisë kulturore.
Fakti është që fasada monument kulture po trajtohet me të gjitha standardet profesionale nën mbikqyrjen e Institutit të Monumenteve të Kulturës në bashkëpunim me qendrën italiane të ekselencës në restaurim Palazzo Spinelli????
Të gjithë elementët e gurtë të kohës po inventarizohen dhe do të rivendosen në vendin e tyre, njësoj siç kanë qenë në projektin e arkitektit të famshëm, ku në vend të dy mballomave vulgare prej betoni, do të realizohen dyert e parashikuara e dizenjuara nga Gherardo Bosio???
Prandaj, edhe njëherë #QentëLeTëLehinKarvaniDoEcëPërpara dhe stadiumi i ri do të jetë përgjigja përfundimtare, për gjithë furtunat në gotën e dembelizmit mendor e të karshillëkut provincial ndaj të resë, që u ngritën e do të ngrihen, derisa Arena Kombëtare të imponohet me të gjithë rrezatimin e saj⚽️⭐️⚽️⭐️⚽️⭐️⚽️⭐️⚽️⭐”, citohet në mesazhin e Ramës.
Por muaj me pare, kryeministri u shpreh me nje status me foto shoqeruese sesi do te ruhej fasada e Stadiumit.
Rama në FB: Per qorrat qe s’duan te hapin syte, po hapin vetem gojen per te baltosur çdo ide, projekt, pune dhe tani i jane turrur Shtepise se Re te Kombetares, s’ka asnje ilaç! Por per te gjithe ata qe duan te shohin se si do te ruhet fasada e “Qemal Stafes” (e vetmja gje me vlere ne ate germadhe), ja projekt-ideja e integrimit te saj ne zemren e Arenes Kombetare, ku do te jete edhe Muzeu i Kuqezinjve⭐️
Stadiumi
Stadiumi “Arena Kombëtare” është parashikuar të ketë një kapacitet prej 22.500 spektatorë, Stadiumi do të jetë i kategorisë 4, sipas standardeve të UEFA-s (kategoria maksimale) dhe punimet pritet të përfundojnë brenda 24 muajsh. “Arena Kombëtare do të ruajë pjesën ballore të stadiumit ekzistues, e cila është shpallur Monument Kulture”,- njoftohej atë kohë.
(d.b/BalkanWeb)