Tetë persona kanë humbur jetën dhe 49 të tjerë janë plagosur pas shembjes së murit në një stadium në Senegal. Ngjarja e rëndë ndodhi në kryeqytetin Dakar në ndeshjen e fundit të futbollit për kampionatin vendas teksa tifozët e dy skuadrave u përleshën me njëri-tjetrin. Policia u kundërpërgjigj duke hedhur gazlotsjellës. Raportohet se disa prej tyre po qëllonin edhe me gurë. Teksa stadiumi u përfshi nga kaosi, dëshmitarët në vendngjarje u tronditën kur panë të shembej një pjesë e murit.

“Krejt papritur muri u shemb mbi njerëzit në stadium. U krijua një rrëmujë e madhe. Shumë prej të pranishmëve në stadium i shihje me lot në sy. E kuptuam menjëherë që disa humbën jetën sepse muri ra direkt mbi ta”.

“Më e tmerrshmja është se një ndeshje e tillë u zhvillua në një stadium ku nuk ka mjaftueshëm siguri. Ndeshjet finale kërkojnë përgatitje. Stadiumi ishte plot”, thonë dëshmitarët.

Disa media raportojnë se shumë njerëz janë parë duke kaluar murin, teksa policia hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë tifozët. Në vendngjarje erdhën menjëherë ambulancat, për t’iu ardhur në ndihmë të plagosurve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb