GRAMSH-Një 63-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë pas një sherri me thika. Ngjarja ndodhi në fshatin Grabovë e Sipërme të Gramshit.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Elbasanit bënë me dije se në pranga ra Apostol Paço, 39 vjeç, i cili akuzohet se pas një sherri për motive të dobëta goditi me sende të forta shtetasin me inicialet S.B. Fill pas ngjarjes, 63-vjeçari u transportua në spitalin e Gramishit e më pas drejt Tiranës, në spitalin e Traumës. Gjatë kontrollit, grupi hetimor gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një thikë që posedonte Paço.

Të njëjtat burime pohuan se po hetohet penalisht dhe 26-vjeçari me inicialet DH.B, banues në këtë fshat, pasi dyshohet të ketë goditur me sende të forta 39-vjeçarin. Materialet në ngarkim të Paços i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb