TIRANË- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak para mesnate në kryeqytet ku një i ri është vrarë me thikë.

Sipas informacioneve të para, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30 pranë stadiumit “Dinamo”, ku i riu Marvin Mihali është qëlluar disa herë me thikë pas një sherri, motivet e të cilit nuk dihen ende.

Më pas ai është dërguar në Spitalin e Traumës por për shkak të plagëve të marra nuk ka mundur të mbijetojë.

ARRESTIMET
Policia ka arrestuar autorin e vrasjes së 22-vjeçarit. Mësohet se fillimisht i riu është përfshirë në një konflikt me një 19-vjeçar. Më pas ka ndërhyrë kushëriri i tij dhe shokët. Ka qenë pikërisht 24-vjeçari Eugen Bitraj sipas policisë që ka qëlluar me thikë 22-vjeçarin.

NJOFTIMI I POLICISË
Më datë 31.07.2017, rreth orës 23.30 në rrugën “Gjin Bue Shpata”, shtetasi Marvi Mihali, 22 vjeç është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin Dejvis Bitraj, 19 vjeç.

Në ndihmë të tij, ka ardhur kushëriri i tij shtetasi Eugen Bitraj, së bashku me shtetasit Kridens Alla dhe Marsel Alla. Gjatë konfliktit 24-vjeçari Eugen Bitraj, ka nxjerrë thikën dhe ka goditur Marvi Mihalin, i cili për pasojë ka gjetur vdekjen në spital.

Si rezultat i reagimit të shpejtë e profesional të shërbimeve të policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë është bërë e mundur zbardhja në kohë reale e ngjarjes, kapja dhe shoqërimi i gjithë personave të përfshirë në konflikt.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore është bërë arrestimi si autor i ngjarjes i shtetasit:
– Eugen Bitraj, 24 vjeç, banues në Tiranë.
Si dhe janë arrestuar si bashkëpunëtore në krim shtetasit:
– Dejvi Bitraj, 19 vjeç, banues në Tiranë;
– Kridens Alla, 19 vjeç, banues Tiranë;
– Marsel Alla, 23 vjeç, banues Tiranë;
Materialet u referuan në Prokurori, në ngarkim të shtetasve të mësipërm, për veprën penale të “Vrasjes me dashje e kryer në bashkëpunim”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb