TIRANË- Partia Demokratike ka reaguar pas publikimit të lajmit dhe fotove nga “BalkanWeb” për rishfaqjen e ish-ministrit të mbrojtjes në kohën e diktaturës Kiço Mustaqi në një aktivitet në Sarandë, bashkë me zv.ministrin e Mbrojtjes Petro Koçi.

Kreu i Departamentit të të Përndjekurve në Partinë Demokratike, Tomorr Alizoti tha se shfaqja e një qeveritari të Ramës pranë qeveritarit të Enverit është një provokim për ata që vuajtën në komunizëm.

“E keqja e ka të pamundur të mos e shfaqë veten publikisht dhe në mënyrë brutale.
Zëvendësministri i mbrojtjes Petro Koçi, një funksionar mjaft i lartë i qeverisë së kryeministrit Rama del publikisht në krah të një prej figurave më përfaqësuese të krimit komunist dhe regjimit totalitar të djeshëm: ish-ministrit famëzi, enveristit të paepshëm Kiço Mustaqi”, tha Alizoti.

Sipas tij, ‘kryeministri Rama e ka rikthyer atë që ishte regjimi kriminal më stalinist në botë, njerëzit e atij regjimi dhe simbolikën e Partisë së Punës në jo vetëm në një provokim të përhershëm për ata që vuajtën dhe për ata u përndoqën por edhe në një dëshmi të sadizmit politik ku me akte të tilla fitohet kënaqësi dhe dëshmohet lidhja e pandërprerë me pushtetin dhe krimet e djeshme’.

“Kjo nuk mund të përkufizohet apo përshkruhet në mënyrë tjetër vetëm si kriminalizim i ri i një grupimi politik që krimin e djeshëm e sheh si burim legjitimiteti.
Edhe mënyra se si qeveris sot, si e shndërroi vendin në një plantacion hashashi, sesi detyroi të vetëvriten burgjeve njerëz të varfër, të dënuar për mospagim dritash, sesi riktheu në polici ish njerëz të sigurimit të shtetit etj. tregon gjithë këtë aberracion që duhet shkulur nga njerëzit. Rrugë tjetër nuk ka, kështu-nga njerëzit- kanë rënë qeverisje të tilla kudo”, e mbyll deklaratën zyrtari i PD-së.

“BalkanWeb” publikoi sot lajmin ku zv.ministri i Mbrojtjes Petro Koçi si dhe kryebashkiakja e Sarandës Florjana Koka ndodheshin në një tryezë me zv.ministrin e mbrojtjes së regjimit të diktaturës.

Nga ana e tij, Koçi u shfajësua për këtë episod dukë thënë për “BalkanWeb” se ishte një aktivitet jozyrtar dhe jo i organizuar nga Ministria e Mbrojtjes. Sipas tij edhe ai vetë edhe personazhi i diktaturës ishin të ftuar. Aktiviteti ishte organizuar me rastin e 34-vjetorit të divizionit “Asim Zeneli”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb