Shkëndija duket se e ka habitatin e vet “Europa League-n” pasi sot në takimin e parë të fazës së parë kualifikuese të këtij kompeticioni ka mundur me rezultatin e thellë 3-0 moldavët e Dacia Chisinau.
Skuadra shqiptare e Maqedonisë zhbllokoi shifrat që në minutën e 7-të të takimit me anë të Ibrahimit. Kur ende nuk kishin kaluar katër minuta, Dacia do shokohej serish pasi Radeski do realizonte golin e dytë.
Shkëndija uli ritmin dhe mbylli pjesën e parë në avantazh të dyfishtë, por në të dytën do kishte vend edhe për golin e nokautit. Radeski gjen golin e dytë personal dhe të tretin për Shkëndijën në minutën e 75-të duke vulosur edhe rezultatin e takimit, 3-0.
Për Dacian duket se janë shuar të gjithë shpresat pavarësisht se javën e ardhshme me datë 6 korrik do luhet ndeshja e kthimit.
Kujtojmë se Shkëndija në sezonin e kaluar të “Europa League” arriti të shkonte deri në fazën “play-off” aty ku u eliminua nga belgët e Gent.
(e.k/BalkanWeb)