SHKODER– Një familjare e viktimave të 9 janarit në Shkodër, i ka ngritur shqetësimin e saj kryeministrit Rama, duke u shprehur se çështja po zvarritet në gjykata pa gjetur zgjidhje. Ndonëse kanë kaluar 15 vite nga vdekja e djalit të saj, gruaja thotë se ende nuk është zbardhur e vërteta. Madje ajo thotë se në qeverinë e asaj kohe i kanë thënë, se kjo ngjarje “do mbetet sekret shtetëror”.

Në një dëgjese që kryeministri Rama ka zhvilluar me qytetarët e Shkodrës, gruaja i ka kërkuar ndihmë për zbardhjen e kësaj ngjarje.

“Më thanë mos e kërko më zbardhjen e ngjarjes së 9 janarit, ajo do mbetet sekret shtetëror. Unë veç atë djalë kisha. Kam vetëm 5 vajza. E vuaj. Kam 15 vite që dergjëm, ju bëj lutje të më ndihmoni të më jepni djalin. Trupat e 9 personave dergjen brigjeve të Sazanit. U nisën tre gomone dretj Italisë me drogën e shtetit, dhe ata i fshehën për të mos u marrë vesh. Lush Zotin natë e ditë të më ndihmosh”, tha gruaja shkodrane.

Mbrëmjen e 9 janarit 2004 në bordin e gomones së nisur nga porti i Vlorës drejt Italisë, ishin vendosur 36 refugjatë shqiptarë, mes tyre gra dhe fëmijë. Çdo emigrant pagoi 1500 euro për udhëtimin. Por për shkak të motit të keq dhe dallgëve të mëdha, gomonia u mbyt duke gjetur vdekjen, 28 persona nga 36 që ishin në të. 8 prej tyre ende nuk janë gjetur trupat. Viktimat ishin kryesisht nga Shkodra e Lezha. Lundruesit kërkuan ndihmë, por ndihma mbërriti me vonesë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: