Nëse e gjeni veten duke shkuar në tualet gjatë natës, nuk jeni të vetmit. Nokturia – një term mjekësor për këtë gjendje të pakëndshme – mendohet të jetë shkaktari më kryesor i çrregullimit të gjumit.

Studimet tregojnë se ¾ e njerëzve që ankohen për çrregullime të gjumit, citojnë nokturian si shkaktarin kryesor të zgjimit të tyre gjatë natës.

Çfarë e shkakton nokturian?
Sipas shkencëtarëve, nokturia mund të shkaktohet nga mbiprodhimi i urinës gjatë natës ose një mbiprodhim i urinës gjatë ditës dhe natës, që lind nevojën e zgjimit gjatë natës për të shkuar në tualet.

Kjo zakonisht shpjegohet si një ritëm jonormal i trupit, ku sasi të mëdha të urinës sekretohen gjatë gjumit.

Në raste më të rralla, nokturia mund të jetë gjithashtu simptomë e diçkaje më serioze, si diabeti, tensioni i lartë i gjakut ose sëmundja e zemrës.

Mbi 60% e të moshuarve shfaqin simptoma të nokturias, megjithatë mund të prekë të gjitha moshat.

Në fakt, sipas Shoqatës Kombëtare për Vetëpërmbajtje, një në tre të rritur mbi 30 vjeç shkojnë të paktën 3 herë në tualet gjatë natës për të zbrazur fshikëzën.

Si trajtohet?
Fatmirësisht, ndryshime në sjellje, si alternimi i kohës kur pini lëngje, marrja e një sy gjumë gjatë drekës dhe veshja e çorapeve elastike mund të pakësojnë simptomat e nokturias për shumë njerëz.

Janë edhe disa ilaçe për fshikëzën super-aktive. Nëse vuani nga nokturia, konsultohuni me një mjek që t’ju sugjerojë trajtimin më të mirë për ju.

“Nokturia është një problem serioz që nuk duhet të injorohet nga njerëzit”, thotë profesori i urologjisë, Philip van Kerrebroeck.

“Mund të prek këdo, pavarësisht moshës apo gjinisë. Lajmi i mirë është se mund të trajtohet. Rekomandojmë të gjithë njerëzit të cilët kanë probleme me gjumin për këtë shkak, të konsultohen menjëherë me mjekun. Nuk është nevoja që të vuani në heshtje”, rekomandon prof. Kerrebroeck.
/Burimi: Huffington Post- shendeti.al/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: