Ndeshjet e Europa League nuk janë larg dhe te Partizani duhet të vinin përforcimet e para, por deri më sot ka ndodhur plotësisht e kundërta.

Lojtarët më të mirë të sezonit që lamë pas të paktën për momentin nuk janë më pjesë e të kuqve. Ekuban i cili rezultoi një nga prurjet më cilësore, në përfundim të kampionatit u largua drejt Italisë pasi i përfundoi afati i huazimit dhe një rikthim për sezonin e ardhshëm me të njëjtën formulë duket e papranueshme për Kievon.

Argjentinasi Augustin Torrasa është futbollisti tjetër i kryeqytetasve që u largua në fund të kampionatit drejt vendlindjes dhe siç është raportuar edhe më parë nga vetë lojtari një rikthim te Partizani mbetet shumë i vështirë.

Sot është konfirmuar se ‘truri’ i mesfushës, Ylber Ramadani, është transformuar drejt kampionatit danez tek skuadra e Velje BK për 200 mijë euro duke krijuar një boshllëk të madh në pozicionin që mbante 21-vjeçari i përfaqësueses B.

Largimi i fundit është ai i malazezit Marko Çetkoviç. Futbollisti me një status në “facebook” ka lajmëruar se sezonin tjetër nuk do jetë pjesë e Partizanit, por nuk ka nguruar t’i urojë tifozëve dhe shokëve të skuadrës suksese në garat Europiane dhe kampionatin e ardhshëm.
cetkovic-470x376
“Shumë faleminderit tifozëve, stafit dhe shokëve të skuadrës! Ju uroj fat në ndeshjet europiane dhe në kampionat”, ka shkruar Cetkoviç.

Shpresat pas gjithë këtyre largimeve mbeten te Luçiano Moxhi i cili ka marrë përsipër të sjellë futbollistë cilësorë për ndërtimin e skuadrës që presupozohet të jetë pretendenti numër 1 për fitimin e titullit sezonin e ardhshëm.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: