TIRANE- Deputetja demokrate Majlinda Bregu e ka cilësuar ditën e sotme, një ditë të vajtueshme për PD. Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së partisë, që vendosi dy mera në garën për kreun e ri të PD, Lulzim Basha dhe Eduard Selami, deputetja demokrate ka shprehur qëndrimin e saj.

“Në vend që të flasim, në vend që të debatojmë, në vend që t’i jepnim kohë vetes të reflektonim edhe të bënim një analizë, kemi nxituar për t’i vënë një kapak kësaj humbjes, për të thënë që ndodhi, ndodhi, na ra për pjesë kjo e keqe, tani të shohim edhe t’i frymëzojmë demokratët që të ringrihen. Unë po e përsëris, vazhdoj të them që ky është një gabim i rëndë.

Sot PD, po vazhdon lojën luftash si dikur. Një lojë e cila po i përçan demokratët, dhe nuk po i bashkon. Sepse në vend që të mendojmë, që të flasim dhe të bëjmë analizën, po rendim gati për të vënë gjoba. Njëri kundër disave, disa kundër disave, dhe në fund fare ata që humbasin janë demokratët, dhe sigurisht që përçahet Partia Demokratike.

Unë nuk besoj se PD është një plaçkë për t’u ndarë, as ndërmjet atyre që duan të rrejnë tani e të marrin ndonjë llokmë, por sigurisht është e të gjithë demokratëve që kanë asetet e tyre dhe investimet në PD.

Për të gjithë që e mbajnë mend ka patur edhe një lojë tjetër kur ishim të vegjël ne, lojën ngriva-shkriva. E njëjta lojë po vazhdon sot në oborrin e PD. Kur në vend që ne të flasim dhe të shohim përgjegjësinë te vetja, vazhdojmë humbje pas humbje ta kërkojmë të oborri përballë nesh. As fitorja, as rindërtimi, as themelimi, as ringritja e PD, nuk vjen duke vazhduar me lojërat kapricoze, hileqare, dhe fëminore brenda nesh.

PD gjendet në një situatë të vajtueshme, por e nesërmja nëse do të vazhdojmë kështu, do të jetë fatkeqësisht akoma më e vajtueshme”, tha Bregu.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: