TIRANE– Më 24 prill, në qytetin e Vlorës do të mbahet mbledhja e përbashkët e radhës e dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës.

Lajmi u bë i ditur të mërkurën nga ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati gjatë një konference për shtyp me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Tiranë.

Ministri Bushati tha se me homologun kosovar bisedoi për bashkëpunimin politik, ekonomik dhe tregtar, por dhe atë që lidhet me çështje të tjera që kanë të bëjnë me arsimin dhe kulturën. Ai vuri në dukje koordinimin efikas mes dy vendeve, për disa nga sfidat kryesore me të cilat përballet sot për sot Kosova, por dhe Shqipëria dhe mjedisi kudo në rajon.

“Ne diskutuam me ministrin Hoxhaj dhe për hapat që po ndërmerr Kosova në përmbushjen e disa angazhimeve kryesore të saj në sfondin e procesit të integrimit europian. Shqipëria mbështet aspiratën legjitime të Kosovës, si për procesin e liberalizimit të vizave, por dhe per transformimin gradual te Forcës së Sigurisë së Kosovës në një ushtri të vërtetë. Në këtë drejtim ne çmojmë bashkëpunimin e Kosovës me partnerët tanë strategjikë, sidomos me SHBA-në”, tha Bushati.

Kryediplomatët e dy vendeve biseduan dhe mbi përgatitjet që po bëjnë qeveritë respektive në vigjilje të Samitit të Triestes, ku do jetë një takim i katër vendeve të Ballkanit Perëndimor me vendet e BE-së që janë pjesë e Procesit të Berlinit. Si edhe në të shkuarën, theksoi Bushati, ne po përpiqemi të sinkronizojmë qëndrimet për projektet që miratohen, por edhe ato ekzistuese.

Në fillim të deklaratës së tij, ministri i Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj uroi për vendosjen në Tiranë të selisë së Fondit të Ballkanit Perëndimor, të cilën e konsideroi një arritje të madhe të diplomacisë shqiptare. Ai tha se Fondi i Ballkanit Perëndimor, krijon një kornizë të re të bashkëpunimit në rajon dhe duhet vlerësuar vendosja e tij në Tiranë.

Më tej, Hoxhaj tha se fokusi i takimit me Bushatin ishte organizimi i mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive.

“Nga janari i 2014-s kur u nënshkrua partneriteti strategjik mes dy vendeve është bërë një progres i madh në këtë drejtim. Volumi tregtar dypalësh është diku mes 200 milion eurove dhe bashkëpunimi ekonomik është shumë më i mire. Ka po ashtu bashkëpunim në fusha të ndryshme dhe ka një listë të gjatë të marrëveshjeve të nënshkruara mes dy vendeve që nga politika e jashtme, e sigurisë, arsimit, turizmit, kulturës, etj”, tha ministri Hoxhaj.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: