Çudi shqiptare në futbollin e femrave. Në mungesë të një arbitri, miqësorja e djeshme e futbollit të femrave mes Kinostudios dhe Mitrovicës e luajtur në Yrshek është drejtuar nga shoferi i automjetit, një ish-arbitër në karrierën e tij, që transportoi skuadrën mike drejt kryeqytetit.

Ndeshja ishte planifikuar të luhej në orën 09:00, por dy skuadrat kanë pritur afërsisht 40 minuta derisa të mbërrinte treshja e gjyqtarëve. Por, më pas, drejtuesit e dy skuadrave janë njoftuar se gjyqtarët nuk do të vinin për shkak se ishin duke kryer normat. Kësisoj, me pëlqimin e të dy klubeve u ra dakord që ndeshja të drejtohej nga drejtuesi i automjetit të skuadrës mike.

Kinostudio ka humbur në miqësoren e dytë të luajtur ndaj kosovareve të Mitrovicës me rezultatin 1-2. Të parat që shënuan, ishin mitrovicaret me anë të kapitenes Xhemile Berisha nga pika e 11-metërshit. Më pas, kanë barazuar lojtaret e Kinostudios me një gol të bukur të afrikanes Gazile Lamo me një parabolë brenda zonës. Në fraksionin e dytë, kryeqytetaset me futjen në lojë të Altea Aliajt, e cila ishte mjaft aktive, rritet impulsi i sulmit, ku rrezikohet porta e Mitrovicës 3-4 herë.

I pafalshëm ishte rasti i minutës së 69-të, kur Klarita Myrtollari del e vetme me portierin, por nuk arrin që ta shmangë atë. Pas dy minutash, skuadra e Mitrovicës në një kundërsulm arrin të shënojë edhe golin e fitores me anë të Gresi Berisha, e cila ka ekzekutuar një goditje dënimi në mënyrë të përkryer nga 22 metra. Në fund të takimit, trajneri kosovar i Mitrovicës i ka kërkuar trajnerit të Kinostudios edhe 5 lojtare, të cilat i kanë pëlqyer gjatë ndeshjes së djeshme. Përgjatë ndeshjes, pati rezerva për gjykimin. (panorama sport)

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb