* Biberaj: Politika duhet të nxjerrë mësime nga këto 25 vite pas komunizmit

* Fischer: Reforma në drejtësi nuk duhet të politizohet

TIRANE- Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare “Friedrich Ebert Stiftung” zhvilloi sot në Tiranë, simpoziumin me temë “Shqipëria 25 vite pas komunizmit: rindërtimi i shtetit dhe shoqërisë”, ku morën pjesë personalitete të politikës, shoqërisë civile, publiçistikës dhe përfaqësuesit më të lartë të trupt diplomatik në vendin tonë, ambasadori i SHBA, Donald Lu, ambasadorja e BE, Romana Vlahutin dhe ambasadori i OSBE, Florian Raunig.

Pjesmarrësit që morën fjalën në këtë takim, njëzëri folën, jo vetëm për sfidat e mëdha që ka kapërcyer vendi ynë gjatë këtij 25-vjecari, por edhe për ato që e presin deri në konsolidimin e plotë të demokracisë , shtetit të së drejtës, ekonomisë së tregut etj.

Ambasadori i OSBE, Florian Raunig gjatë fjalës së evidentoi arritjet e Shqipërisë gjatë këtij 25-vjeçari por, tha se ka ende edhe shumë për të bërë.

“Kur hedhim vështrimin pas te 25 vitet e fundit, e kuptojmë që Shqipëria pësoi një ndryshim të pamatë. Vendit iu desh të përballej me sfida të jashtëzakonshme përgjatë kësaj rruge, si gërryerja e shtetit në anarki më 1997 apo vërshimi i afro 400 000 refugjatëve më 1999, si dhe me krizën ekzistenciale të piramidave.

Pasi përmendi arritjet që ka shënuar vendi ynë gjatë periudhës postkomuniste, si në aspektin e zhvillimeve të brendshme por edhe në planin ndërkombëtarë të partneritetit, Rauning kujtoi se “Në fillim të viteve 1990, ndërkombëtarët, sikundër edhe shqiptarët, qenë të bindur se një dhjetëvjeçar do të mjaftonte për të ndërtuar një sistem demokracie dhe ekonomi tregu funksionalë dhe të rrënjosur mirë. Mbi dy dekada më vonë, e kuptojmë që na pret edhe shumë punë. 25 vjet mund të mos tingëllojnë shumë në terma të tillë historikë, por në jetën e një individi, 25 vjet janë shumë. Kjo mospërputhje mund të jetë një prej arsyeve që nxisin pyetjen me të cilën vijojmë të përballemi edhe sot, pyetjen kuptueshmërisht të paduruar: edhe sa duhet?”.

Ndërsa apeloi për mobilizm të të gjithë potencialeve që ka vendi ynë për kapërcimin e sfidave drejt integrimit të plotë, siguroi mbështetjen e plotë të OSBE-së ndaj Shqipërisë edhe në vijim.

BIBERAJ: POLITIKA DUHET TË NXJERRË MËSIME NGA KËTO 25 VITE PAS KOMUNIZMIT
Elez Biberaj në fjalën e tij të mbajtur gjatë këtij simpoziumi u ndaj tek sfidat me të cilat përballet sot Partia Demokratike, pas dorëheqjes së Sali Berishës. Biberaj theksoi se bashkëpunimi mes opozitës dhe shumicës është jetik.

“Gazetarët në vendin tonë autocensurohen. Sa i takon situatës në Partisë Demokratike mund të them se po ndeshet me sfida. Dorëheqja e Berishës ka krijuar boshllëk. Bashkëpunimi mes opozitës dhe shumicës është jetik. Qeveritë që nuk dëgjojnë zërin e popullit, rrezikojnë shumë, pasi pesimizmi në rritje, mund të çojë në përplasje serioze. Paaftësia për kompromis mes opozitës dhe shumicës ka vonuar anëtarësimin në BE. Politika duhet të nxjerrë mësime nga këto 25 vite pas komunizmit”, tha Biberaj.

FISCHER: REFORMA NË DREJTËSI NUK DUHET TË POLITIZOHET
Bernd Fischer gjatë këtij simpoziumi ka përcjellë mesazhin se reforma në drejtësi nuk duhet të politizohet. Duke u shprehur se sipas një sondazhi të fundit, sistemi gjyqësor në Shqipëri është më i korruptuari, Fischer tha se duhet të veprohet për të luftuar këtë fenomen.

“Partitë janë shumë të centralizuara. Elita e Tiranës është e shkëputur nga populli. Ka shumë pak hapësirë për problemet e shqiptarëve. Korrupsioni në drejtësi është gërryes, pasi në sondazhin e fundit, sistemi gjyqësor ka rezultuar më i korruptuar. Reforma në drejtësi nuk duhet të politizohet”, tha Fischer.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb