NGA MENTOR KIKIA*
Përmbytjet në zonat fushore të Fierit dhe Vlorës nuk janë më lajm. Po ashtu, problemi nuk
është më në qendër të vëmendjes as të qeverisë dhe politikës në tërësi. Sa të mbarojë edhe filmi “Tom(k)a pa shokët e tij”, do të fillojë telenovela e zgjedhjeve dhe me ardhjen e verës do të thahen edhe shtëpitë e lagura, ndërsa ata më me fat do të kenë zëvendësuar edhe delet e mbytura. Disa qindra miliona lekë do të jenë shpenzuar ndërkohë për kompensime dëmesh, para që, ashtu siç thotë ai spoti televiziv kundër vjedhjes së energjisë elektrike, mund të përdoreshin për rrugë, spitale e shkolla.

Pas kësaj të gjithë do të lutemi që të mos ndodhë më. Nëse ndodh, s’kemi ç’të bëjmë, do të përsërisim atë që bëmë. Në fakt, nuk është hera e parë që kjo zonë përmbytet. Madje nja 50 e ca vjet të shkuara kjo zonë është përmbytur shumë herë më rëndë. Dhimitër Vogli është një inxhinier bonifikimesh. Ai i përket një race në zhdukje studiuesish, pasi në çerekshekullin e fundit ne i dhamë fund edhe zyrtarisht kërkimit shkencor dhe shkollat i kthyen në tregtore diplomash, ndërsa institutet kërkimore i mbyllëm pasi ishin ndërmarrje komuniste.

Në një vëzhgim mbi përmbytjet e fundit që përfshinë jugperëndimin e vendit, inxhinier Vogli shkruan: “Në muajt dhjetor 1962 dhe janar 1963 pati reshje të shumta në të gjithë vendin dhe ujërat u shpërndanë në të gjithë Ultësirën Perëndimore (zona fushore nga veriu në jug), duke përmbytur më shumë se 70.000 ha toka bujqësore dhe të gjitha qendrat e banuara që ndodheshin në këto zona, si dhe qytetet e Shkodrës, Lezhës dhe Beratit. Në atë kohë u bashkuan ujërat e Lumit të Vjosës me ato të Semanit dhe të Shkumbinit si dhe ujërat e Drinit me ato të Matit dhe Ishmit. Kjo bëri të domosdoshme marrjen e masave për përmirësimin e gjendjes në këto fusha”.

Pas kësaj, qeveria e kohës kishte bërë një studim të plotë për ndërtimin e argjinaturave, kanaleve kulluese, hidrovoreve dhe tharjen e kënetave, duke e ndryshuar dhe shpëtuar Shqipërinë. Në këtë studim ishin përcaktuar edhe zonat se ku nuk duhet të ndërtohet pasi janë të kërcënuara nga lumenjtë. Një punë që nisi atëkohë e përfundoi pas disa dekadash.

Kur udhëtojmë nga Levani për në Vlorë, përbri rrugës së vjetër të shoqëron edhe linja hekurudhore, e cila përfundoi në vitin 1985. Në një segment prej disa kilometrash, para se të shkohet tek Ura e Mifolit, traseja e kësaj linje nuk është ndërtuar me materiale inerte, pra me mbushje, por në formën e një ure. Nëse dikë (ku bëj pjesë edhe unë) e ka ngacmuar pyetja se përse është ndërtuar një urë disa kilometra e gjatë në mes të fushës, ja cila është arsyeja: “Gjatë projektimit dhe ndërtimit të argjinaturave të lumit të Vjosës, krahu i djathtë i saj (drejtimi i rrjedhës) pa vajtur tek ura e Mifolit është lënë pa argjinaturë, me qëllim që kur të vijnë prurje të mëdha, uji i tepërt të kalojë këtu e të derdhet në fusha, në zonën e Fierit, në mënyrë që të mos shkatërrohen argjinaturat në zonën e poshtme të lumit. Nisur nga ky fakt, në këtë zonë, e cila është nën kërcënimin e përmbytjeve, nuk lejohej të ndërtoheshin objekte banimi apo objekte të tjera. Po ashtu, edhe traseja e hekurudhës u kalua me urë në të gjithë gjatësinë e zonës së përhapjes së ujit, në mënyrë që të rridhnin ujërat”, thekson Vogli në vëzhgimin e tij.

Po gjatë çerekshekullit të fundit, çfarë ndodhi?

Së pari u mbushën fushat me shtëpi, u ndërtua edhe atje ku nuk lejohej, pra atje ku studiuesit kishin vendosur vijën e kuqe. U mbushën me shtëpi edhe shtretërit e lumenjve. U shndërruan në shtëpi madje edhe hidrovoret e ndërtuara para ‘90-ës. U ndërtuan shtëpi, stalla e mejhane edhe mbi kanalet kulluese. U ndërtua fiks edhe aty ku Vjosës i ishte lënë rrugë e lirë të shkarkohej në rast reshjesh katastrofike, si ato të para një muaji. Por edhe më keq. Nuk ishin vetëm ndërtimet informale, pa leje, ato që i vajtën lumit në derë e i zunë rrugën. Me po këtë (pa)logjikë u ndërtuan edhe veprat publike. Ndërsa ata që ndërtuan hekurudhën në 1985 ndërtuan urën në vend të trasesë që të rridhnin ujërat, ata që ndërtuan autostradën e re, as e llogaritën fare lumin dhe sipas studiuesve, një nga shkaqet e zgjerimit të hartës së përmbytjeve, rritjes së nivelit të ujit dhe kohës së gjatë të përmbytjeve ishte autostrada e re Levan-Vlorë, traseja e së cilës ishte një barrierë për kalimin e ujërave.
Sërish nuk po ndalemi në rrumpallën që pushtoi këtë vend, nga maja e malit deri në breg të detit, por po ndalemi te veprat publike. Ende dhe sot ka fusha të tëra nën ujë, pasi sistemi i ri rrugor është ndërtuar për të lidhur qytetet, duke ndarë përmes fusha e fshatra, duke bllokuar e zhbërë kanale kulluese e vaditëse, duke mos parashikuar as mbikalime për njerëz e as nënkalime për ujërat dhe kuajt e gomerët. Kompanitë ndërtuese kanë përfunduar rrugët, kryeministrat kanë prerë shiritat e përurimit, kanë marrë votat e radhës dhe katrahura ka mbetur tashmë. Edhe në përmbytjen e fundit, ishin politikanët që u vunë në rresht me çizme llastiku e nga 10 kamera nga pas për të “inspektuar” përmbytjet dhe për të sharë njëri-tjetrin nga mbretëria e ujit. U filmuan të shkonin edhe ata që shpërndanin ndihma, edhe vlerësuesit e dëmeve, esëll dhe të dehur, sipas vaftit, por sërish nuk kishte asnjë studiues për të matur nivelin e ujit, për të parë se në cilën argjinaturë e në cilën zonë ishin dëmet më të mëdha. Pasi të tilla raste, ashtu si pacientët e sëmurë për mjekët, shërbejnë për të përmirësuar masat që në të ardhmen t’u paraprihet këtyre fatkeqësive.

Por për ne këto nuk kanë rëndësi. Qeveria dërgoi ca kope me dele dhe deklaroi vendosmërinë për t’i dëmshpërblyer banorët një më një që dhe opozita ta qepë gojën tani. Po nëse natyrës i teket e të lëshojë sërish shi pas një viti në këto përmasa, ç’do të bëhet? Në vend të dëmshpërblimeve, a nuk do të kishte qenë më mirë që të paguhej për studime dhe projektim-ndërtime digash e argjinaturash? Po ashtu, kur ndërtohen autostrada që ndajnë fushat mes përmes, a nuk do të kishte qenë mirë të konsideroheshin edhe lumenjtë e përrenjtë?

Inxhinieri i ujërave Vogli është në atë moshë kur ende mund të mendojë e punojë. Po ashtu është nga ata njerëz që e do këtë vend ndaj dhe kërkon të bërtasë që dikush ta dëgjojë. Por unë jam i bindur se ata që u vunë kazmën ca instituteve studimore as kanë ndër mend t’i dëgjojnë. Gjatë këtij çerekshekulli ky vend është qeverisur në mënyrën më të keqe të mundshme, në mënyrën më të papërgjegjshme, harbute e barbare. Mjerë brezat që do të kenë fatin e keq të rriten e jetojnë pas nesh. Ky vend nuk jeton sa një mandat qeverisës. Nëse sot ne kujtojmë njerëzit që projektuan e ndërtuar pritat e hidrovoret 55 vjet më parë, po fëmijët tanë, çfarë do të kujtojë pas 30 vjetësh? Të jemi të sigurt se do të na mallkojnë brinjë më brinjë për këtë që po bëjmë dhe atë që s’po bëjmë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: