TIRANE- Shqipëria do të marrë pjesë në Ekspozitën e XVI-të Ndërkombëtare të Arkitekturës – Bienale e Venecias 2018, me temë “Freespace”, që do të zhvillohet nga 26 maji deri më 25 nëntor 2018 në Arsenale dhe Giardini në Venecia, Itali.

Tema e kësaj Bienaleje “Freespace” është përzgjedhur nga kuratorët e edicionit të 16-të, Yvonne Farrel dhe Shelley McNamara, të cilat kanë motivuar zgjedhjen e tyre. “Freespace përshkruan bujarinë e shpirtit dhe ndjenjën e humanizmit, në thelbin e axhendës së arkitekturës, duke përqendruar vëmendjen në vetë cilësinë e hapësirës. Freespace përqendrohet në aftësinë e arkitekturës për të ofruar hapësira të lira dhe hapësira shtesë për ata që e përdorin atë, si dhe në aftësinë e saj për të adresuar dëshirat e pashprehura të të huajit”.

“Po ashtu, Freespace inkurajon të rishqyrtojmë mënyrën e të menduarit, duke nxitur mënyra të reja të të parit të botës dhe të japë zgjidhje në të cilën arkitektura siguron mirëqenien dhe dinjitetin e çdo banori të këtij planeti të brishtë. Freespace mund të jetë një vend i mundësive, një hapësirë publike, jo e planifikuar dhe e lirë për përdorime ende të pa përcaktuar. Ajo ç’ka na intereson është të shkojmë përtej asaj që është e dukshme, duke theksuar rolin e arkitekturës në skenën e jetës së përditshme”, veçojnë kuratorët e kësaj Bienaleje.

Në kuadrin e Ekspozitës XVI Ndërkombëtare të Arkitekturës – Bienale e Venecias 2018, Ministria e Kulturës, me cilësinë e komisarit të Pavijonit Shqiptar, shpall thirrjen për paraqitjen e projektit për pavijonin shqiptar, frymëzuar nga një vëzhgim i kujdesshëm i arkitekturës bashkëkohore dhe i shoqërisë shqiptare, sidomos aty ku kjo bën ndryshimin, si dhe mjetet vizuale përmes të cilave ato do t’i komunikohen publikut të gjerë dhe profesionistëve.

Kandidatët janë të lirë të zgjedhin format dhe mjetet për paraqitjen e idesë së tyre. Ata ftohen të respektojnë udhëzimet e përcaktuara nga Kuratoret e Bienales së 16-të Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia. Pavijoni shqiptar do të vendoset në Arsenale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb