TIRANE- Kryeministri Edi Rama ka reaguar në “Facebook” lidhur me letrën që Partia Demokratike i ka dërguar sot KQZ-së, ku i kërkon mospranimin e kërkesës së PS-LSI për shtyrjen e afatit të regjistrimit të koalicioneve.

‘Kërkesa KQZ-së është e koalicionit PS-LSI&Etj si shprehje vullnetmirë ndaj PD&Etj.Po asnjë merak nëse ne me bukë e ata me gurë deri në fund”- ka shkruar Rama.
Screenshot013

Në një letër dërguar KQZ-së, të cilën e disponon “BalkanWeb” kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka referuar neneve 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor ka kërkuar mospranimin e kërkesës së PS-LSI me argumentin se “afatet e përmbajtura në nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor janë qartësisht të lidhura me datën e zgjedhjeve, dhe rrjedhimisht shtyrja eventuale e tyre është pazgjidhshmërisht e lidhur me shtyrjen e vetë datës së zgjedhjeve, kompetencë kjo e fundit jo e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por vetëm e ligjit zgjedhor, i cili mund të ndryshohet nga partitë politike përmes një konsensusi gjithëpërfshirës në Kuvend”, thuhet ndër të tjera në letrën e Palokës.

Më herët në një letër drejtuar KQZ-së, nënshkruar nga kryetarët e grupeve parlamentare të PS-së dhe LSI-së, Gramoz Ruci dhe Luan Rama, ku kërkohej shtyrja e afatit të regjistrimit të koalicioneve (afati skadon në 19 Prill” thuhej ndër të tjera se “Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe partitë e tjera të Aleancës për Shqipërinë Europiane janë në përpjekje të vazhdueshme për të negociuar me opozitën, për të mundësuar pjesëmarrjen e plotë të të gjithë spektrit ekzistues politik të vendit në zgjedhjet për Kuvendin”.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb