BRUKSEL- Në Muzeun e Instrumenteve në kryeqytetin europian, në Bruksel, ndodhet edhe instrumenti më i vjetër tradicional shqiptar, lahuta.

Historinë e vendosjes së kësaj lahute në muze e përcjell “Ata”. Një shqiptar nga Kruja, i cili prej vitesh jetonte në kryeqytetin europian, dëshironte t’i dhuronte një lahutë drejtorit të muzeut të Brukselit, por sipas ligjeve të vendit, drejtori nuk mund të pranonte dhurata nga individë, përveçse nga shoqata.

Fran Kukajt, emigrant i brezit të dytë, i ati i tij mbërriti në vitet ’50-60 në Belgjikë i është dashur brenda një dite të vrapojë për të krijuar dhe regjistruar shoqatën. Por, rregulli tjetër ishte që instrumenti duhet të funksiononte në mënyrë që të mund të vendosej në muze. Ndërsa lahuta e krutanit edhe pse në pamje e bukur nuk mund të luante. Ky instrument kordofon, i përcjellë ndër breza i përbërë nga një kasë druri në trajtë vezake, të zgavruar përbrenda, që mbulohet me lëkurë të regjur, ishte më tepër simbolik. Rregullat ishin të qarta, duhej të luhej harku mbi bishtin e Lahutës, e akordet duheshin ndërruar, por krutani nuk u dorëzua. Ndaj, ai niset drejt Krujës, ku bleu një lahutë të re mbi të cilën harku i lahutës mbi kordhën e re lëshonte atë tingull që ne jemi mësuar ta dëgjojmë kryesisht nga pleqtë e veriut të Shqipërisë e Malësisë së Gjakovës, e që shoqëronte vargjet për kreshnikët.

Sot krahas 9000 instrumenteve të tjera ndërkombëtare, që janë përdorur në gëzime e festa, në Muzeun e Instrumenteve në Bruksel është e vendosur edhe Lahuta./ata/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: