LEZHE – Gjatë dëgjesës publike në qytetin e Lezhës, një qytetar i është ankuar kryeministrit Edi Rama se nuk po arrin të marrë një çertifikatë toke.

Ai i tha kreut të qeverisë se duhet t’i paguaje rreth 1 milion lekë hipotekës për të marrë çertifikatën. Mes të tjerash qytetari e pranoi publikisht se kishte qenë militant i LSI-së, ndërsa shfaqej i zhgënjyer edhe për këtë forcë politike.

“Kam probleme me hipotekat. Shkova të bëja dokumentet e pronësisë së tokës, dhe në zyrë jurist ishte djali që ju e bëtë deputet. Pasi më shpjegoi dokumentet që duhet të bëja, i kopsita të gjitha. Por fati im i keq që kur shkova, juristi ishte ndryshuar se ju e bëtë deputet. E në vend të tij kishte shkuar një sekser. Një sekser i tmerrshëm si i kohës së PD-së. Dhe më tha, po nuk pagove lekë, s’ka certifikatë pronësie. S’ke as ku të ankohesh, se Prokuroria është me ta. Me i vu përgjues i kuptoni mirë ju, janë stërvitur që në kohën e Sali Babës, kohën e dreqit. Kam qenë me LSI-në, por pastaj jam lutur që mos fitojë LSI-ja, që të fitoni ju dhe ju fituat. U bëra me LSI-në se ajo i shkon punëve deri në fund,” tha qytetari.

Më pas Rama i dha një përgjigje të shkurtër: “Paska qenë e komplikuar. S’e zgjidhim dot këtu tani” dhe i kaloi mikrofonin qytetarit tjetër.
 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb