TIRANË- Me deklaratën e tij të sotme nga salla e Parlamentit kryeministri Edi Rama bëri paralajmërimin e fundit për të gjithë palët politike, përfshi këtu edhe aleatin e tij në qeveri, Ilir Metën që ka thënë se s’mund të ketë zgjedhje pa opozitën.
“Vend për lojra nuk ka më, koha për dialog po skadon, zgjedhjet do të jenë më 18 qershor”,- tha Rama në Kuvend.
Kush ka vesh mund ta dëgjojë këtë paralajmërim, pasi Rama shtoi ndër të tjera se: “Të gjithë ta kenë të qartë, shumë kush flet për krizë politike, shumëkush që është tragjike, për mua mbetet kriza mendore e PD”,- tha ai prerë.
Teksa ka ripërsëritur qëndrimin e tij, se partitë politikë duhet të paraqesin ofertat e tyre para qytetarëve, Rama theksoi se askush nuk mund t’i mohojë popullit të drejtën për të votuar, sipas përcaktimeve kushtetuese.
Rama u ndal edhe tek takimet e zhvilluara dy ditë më parë me negociatorët e BE, dhe propozimet për zgjidhjen e krizës. Pasi përmendi platformën e negociatorëve, dhe kërkesat shtesë të PD-së, Rama theksoi se është i gatshëm për dialog pas votimit të vettingut.
“Në vazhdim të ditës së sotme kemi raundin e tretë për zgjedhjen e presidentit. Kemi qenë dhe mbetemi dhe sot besnikë të asaj linje që kemi bërë publike, se dëshirojmë që të zgjedhim një president për gjithë shqiptarët. Do të ishim të dëshiruar që PD të merrte pjesë në këtë proces. Për këtë arsye kemi përshëndetur pikën e parë të marrëveshjes së kërkuar nga zyrtari i PPE për t’i dhënë mundësi zgjedhjes së një presidenti sa më konsensual. Por me sa duket nuk është ende e mundur të parashikohet se kur PD do të kthehet në rrugën e arsyes.
Nga ana tjetër pasnesër skadon afati për regjistrimin e kandidatëve në KQZ për zgjedhjet. Ne duhet të respektojmë edhe datën e përcaktuar nga presidenti në bazë të kushtetutës, për të shkuar përpara popullit dhe për të marrë gjykimin e tij.
Me vjen mirë të rinënvizoj faktin se edhe një herë në riprovuam jo me fjalë po me fakte, se çka kemi thënë se jemi të gatshëm për dialog pa kushte është e vërtetë dhe e sinqertë. Kemi pritur me krahë hapur të dërguarin e PPE, se bashkë me eurodeputetin Fleckenstein, dhe kremi pranuar brenda pak sekonda platformën e kompromisit të propozuar prej tyre.
Kemi shkuar në tryezën e dialogut përsëri me krahët hapur për të folur pa kushte për të gjetur një zgjidhje të arsyeshme, dhe aty kemi gjetur për fakt të keq jo kryetari e PD, por miqtë ndërkombëtare, një skenë që uroj të mos ndodhë më në historinë politike shqiptare. Na janë vënë në tavolinë edhe dy propozime të tjera që ishin jashtë platformës, në përpjekje për të arritur kompromis. Na u propozua një shtyrje e datës së zgjedhjeve në 16 korrik, dhe disa ndryshime ministrore në disa poste kyçë, ku mendohet se mund të ketë influencë të drejtpërdrejtë qeveria mbi zgjedhjet.
Përgjigjja ime ka qenë e qartë, nuk ka qenë as po as jo, kam thënë se jemi të hapur për dialog, por më parë vettingu. Kjo për faktin se vettingu është shkaku pse është gjymtuar parlamenti, arsyeja pse është ngritur çadra, dhe arsyeja e betejës tonë për të reformuar drejtësinë. Por nuk ka zgjatur shumë, vetëm pak minuta, dhe kemi dëgjuar që kryetari i PD kishte ikur. Ne mendojmë se e mira është që të gjitha partitë duhet të paraqiten para popullit. Askush nuk mund ta ndalë popullin që ditën që e cakton kushtetuta, të votojë për partitë. Jemi të angazhuar për një proces zgjedhjesh të lira e të ndershme”, u shpreh kryeministri Rama.
(m.a/el.sp/BalkanWeb)