Nga Bujar VANI
Temperaturave të larta të kësaj vere të nxehtë afrikane që shqiptarët mezi po e përballojnë, këtyre ditëve iu “shtuan” edhe disa gradë të tjera artificiale, tashmë jo nga natyra por nga atmosfera mediatike. Dikush u kujtua të ngacmonte ndjesitë patriotike e patetike dhe të rriste tensionin nervor të opinionit publik shqiptar duke hedhur në “betejë” mediatike pikërisht figurën emblematike të Heroit kombëtar, Skënderbe. Por nëse njëra “betejë” duket se kishte një prapavijë të qartë qëllimore e do të vazhdojë më gjatë për shkak të vetë platformës mbi të cilën është hartuar dhe hedhur në tregun mediatik, por që nuk është objekt i këtij shkrimi, beteja tjetër ngjau me një “blic krieg”, e cila në aparencë mori zgjidhje shumë shpejt, por që hodhi një tymnajë qorrollisëse dhe la një shije të hidhur në opinionin e gjerë.

E gjitha nisi me disa foto të hedhura në rrjete sociale nga ambasadori ynë në Hungari, z. Arian Spasse, mbi një projekt shtatoreje të Skënderbeut që është planifikuar të vendoset në një park të Budapestit, përballë monumentit të Huniadit. Reagimi qe i menjëhershëm, por nuk pati debat profesional, vetëm se u hodhën parulla patriotike me shumicë, e shumëkush e mori si një provokim të radhës që përkonte me debatin tjetër që po zhvillohej në opinionin mediatik e publik shqiptar mbi origjinën e familjarëve të heroit. Gati-gati u pa si një “komplot i koordinuar” me bazë të gjerë kundër historisë shqiptare dhe posaçërisht ndaj Heroit kombëtar Skënderbe.

Në fakt, nuk mund të gjykojmë mbi opinionin qytetar i cili me të drejtë reagon kur preket ndjeshmëria kombëtare, edhe pa kuptuar inskenimet djallëzore të atyre që e orientojnë atë mbi tema të nxehta dhe delikate për mendësinë dhe vetëdijen popullore. Por, arsyeshmërisht lind e drejta e një analize të përmbledhur mbi vetë dukurinë, domethënë mbi thelbin e problemit, realitetin, shkaqet dhe protagonistët që ngjallën këtë reagim, si dhe “zgjidhjen demokratike” që shoi reagimin:

– Pikësëpari, skulptori hungarez ka marrë përsipër realizimin e një vepre artistike figurative që do të vendoset në një mjedis publik të rëndësishëm të kryeqytetit të tij dhe nuk mund të luajë sipas “komploteve denigruese” me personazhin-objekt. Ndërkohë që nuk ka asnjë shkas të qenësishëm të hidhen insinuata absurde ndaj palës hungareze, qoftë edhe politikisht apo kombëtarisht, njëlloj siç mund të ngrihen me arsye ndaj ballkanikëve të tjerë, pasi qëndrimi hungarez në të gjitha kohët ka qenë ai i një aleati të sinqertë kombëtar ndaj shqiptarëve, ashtu si edhe ai i kroatëve.

– Më tej, vepra konkrete (që ambasadori ynë thotë se është ende maket) është një kompozicion sipas përfytyrimit artistik e estetik të skulptorit Mihaly Grabor, i cili ka zgjedhur një frymë naiviste në paraqitjen e Skënderbeut, edhe pse duhet thënë se realisht është një punim i dobët estetikisht (të paktën në ato foto që janë dhënë publikisht). Vetëm se duhet kuptuar që, nëse për shqiptarët Skënderbeu është Heroi kombëtar, për një hungarez (apo këdo tjetër të huaj) ai është një personazh historik. Dhe janë të ndryshme premisat ideore e konceptuale që ngjizin kompozicionin artistik të figurës së: një personazhi historik, një heroi apo një figure mitike. Kuptohet që, në realizimin e një vepre figurative me objekt personazh historik apo ngjarje historike duhen pasur parasysh parametra që diktohen nga realiteti objektiv, por tej këtij realiteti objektiv janë edhe parametrat artistikë, domethënë fuqia shprehëse apo përfytyruese e vetë artistit. Cilësorët mbi të cilët mund të gjykohet atëherë kjo vepër arti u takojnë çështjeve të unikalitetit kompozicional, shprehësisë estetike të figurës, trajtimit të formës e sipërfaqes, harmonisë së figurës në tërësi me vetveten dhe mjedisin ku do të vendoset etj. Në rast të kundërt, nuk kemi të bëjmë më me një vepër arti, por me një vepër ilustrative, që mund të jetë porosi për ndërmarrjen e dekorit të qytetit e jo për një artist.

– Por nga ana tjetër, pikërisht kur u mendua se po flisnin profesionistët mbi këtë punim figurativ, reagimi i tyre degradoi në një fushatë nxitjeje patetike “patriotizmi” të opinionit publik, duke akuzuar autorin për deformim të figurës historike, dhe duke dhënë deklarime aspak profesionale, por të karakterit politik, me mbathje “argumentesh” antropologjike e politologjike, në variantin e parullave propagandistike, kinse për të ngritur temperaturën e këtij opinioni publik, e jo për të dhënë një kuptueshmëri profesionale mbi objektin në fjalë.

– “Argumenti” themelor u duk se për ta ishte fizionomia e portretit e jo kompozicioni i veprës në përgjithësi. Dhe reagimet e mëtejme u fokusuan dukshëm pikërisht mbi këtë element, aq sa dhe “zgjidhja” që u gjend pas këtij reagimi ofron një ndryshim të kësaj fizionomie në përafrim të imazhit “real” të Skënderbeut. Natyrisht, në përfytyrimin e përgjithshëm publik është ngulitur imazhi i Skënderbeut në variantin e dhënë nga busti që i njihet skulptorit Odise Paskali, për shkak dhe të përhapjes masive të tij. Por ai është përfytyrimi i këtij autori për Heroin kombëtar dhe jo “realiteti objektiv” i mirëqenë që jep tiparet reale të këtij personazhi historik. Mjerisht, teknika fotografike ka lindur shekuj më vonë se koha kur jetoi dhe veproi Heroi! Edhe gravurat që na vijnë ndër botimet e hershme mbi të janë kaq të ndryshme sa ç’janë dhe përfytyrimet e autorëve që i kanë kompozuar. Prandaj, kërkesa për një fizionomi sa më autentike në veprën “hungareze” përkthehet në pretendimin se “e duam Skënderbeun si të Paskalit”, sepse ky është dhe përfytyrimi më i përhapur mbi të, edhe pse në galerinë e veprave skulpturore mbi heroin kemi karaktere të tjera fizionomike, si në rastin e skulptorit Janaq Paço. Ndërsa “argumenti” antropologjik se Skënderbeu “hungarez” nuk ngjan si shqiptar, por si serb, hungarez apo bullgar, i artikuluar nga profesionistë të artit figurativ, ngjan infantil dhe në padijeni të plotë antropologjike kur këto tre modele i përkasin tre racave të ndryshme të pangjashme me njëra-tjetrën.

– Po, mund të themi, sipas gjykimit tonë, se ajo figurë është thjesht një realizim i dobët artistik dhe estetik, skulpturë e karakterit naivist, ku sinqeriteti i autorit duket qartë, por pa u shtyrë më tej në paragjykime të karakterit politik mbi dashakeqësinë e autorit. E nëse është e tillë, vetë kritika hungareze do të reagonte në vijim, pasi nuk mund të lejonte që një vepër e dobët të vendosej në mjedisin urban të kryeqytetit të tyre. E mbi këtë premisë të ngrihej edhe reagimi profesionist i palës shqiptare, që do të ishte i natyrshëm dhe do të mbeste brenda caqesh racionale të gjykimit të një vepre artistike.

– Në të kundërt, beteja mediatike “patriotike” nisi pikërisht nga ajo anë që, për çudi, nuk ka reaguar ndonjëherë për vepra të tjera edhe më të dobëta, edhe më pak përfaqësuese mbi Heroin kombëtar Skënderbe, por edhe mbi vepra të tjera skulpturore që “stolisin” mjedisin urban në qytetet shqiptare, por edhe disa punime në qytete të tjera europiane, që jo vetëm nuk japin atë fizionomi që i kërkohet Skënderbeut “hungarez”, por janë modele të përçudnimit artistik e estetik. Ky lloj patriotizmi selektiv atëherë i bie të gjykohet se ka pasur shkaqe e motive të tjera, që për t’u kamufluar nxitën ndjesitë patriotike të opinionit publik, gati-gati deri në një “plebishit popullor” kundër Skënderbeut “hungarez”. Dhe po përmes këtij “plebishiti” u arrit dhe fitorja: mbas ndërhyrjes së ambasadorit shqiptar në Budapest, “maketi do të pësojë ndryshime, derisa të marrë tiparet me të cilat shqiptarët janë familjarizuar”! Por plebishitet qytetare mund të jenë të vlefshme për të marrë miratimin e vendosjes së një vepre artistike në mjedisin publik, por jo edhe për të ndryshuar një vepër arti. Nuk njihet në historinë e artit që veprat të jenë realizuar me plebishite popullore, madje edhe pllakatet e dekorit dikur bëheshin me orientime partie e jo me formën demokratike të plebishitit… Më tej, në një vepër arti, nëse është e tillë, nuk vendos ambasada e as populli, e as e detyron dot artistin që të bëjë ndryshime në vepër. Nëse një zgjidhje kompozicionale argumentohet përse nuk përfaqëson personazhin në tërë kompleksitetin shprehës, ajo zgjidhje nuk riparohet nga tiparet fizionomike të portretit, as nga gjendja psikologjike, pasi kjo do të ishte pa teprim amatorizëm gjykimi dhe realizimi. Por kur gjykojmë kompozicionin naivist të rëndomtë, të dobët të hungarezit, apo inkoherencën formale brenda punës së tij, si nuk janë ndjerë shqetësime publike për morinë e madhe të monumenteve “tallava” në Shqipëri, që janë edhe më të dobëta artistikisht e estetikisht se ajo e Hungarisë?

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb