Sot në orën 20:00, në stadiumin “Skënderbeu” të qytetit të Korçës zhvillohet ndeshja e futbollit ndërmjet ekipeve Skënderbeu-Kairat Almaty e vlefshme për raundin e dytë të UEFA Europa League.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, ka marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë, për zhvillimin sa më normal para, gjatë dhe deri në përfundim të ndeshjes.

Duke filluar nga ora 16:00 datë 20.07.2017, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve përreth Stadiumit “Skënderbeu”.

Gjithashtu do të merren masa për paralajmërimin dhe mbylljen e lokaleve, pikave të shitjes ambulante që kryejnë aktivitet përreth Stadiumit apo në lulishtet pranë tij.

Nuk do të lejohet lëvizja apo parkimi në rrugën drejt Pallatit të Sportit, në rrugën “Niko Kovaçi”, në shëtitoren “Rilindasit”, përpara hyrjes qendrore të Stadiumit, përveç atyre të përcaktuara nga autoritetet përkatëse të tij.

Në kryqëzimet dhe bulevardet kryesore të qytetit, do të ketë shërbime të shtuara Policie, për të shmangur bllokimin e trafikut të qytetit.

Në lidhje me këtë ndeshje, do të angazhohen në total 240 punonjës policie nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, Komisariatet vartëse të saj dhe nga FNSH-ja.

Në hyrje të Stadiumit do të kontrollohen të gjithë sportdashësit.
Do të ndalohet përdorimi i pijeve alkoolike, shisheve të qelqit, fishekzjarrëve, shashkave zhurmuese e tymuese, materialeve të tjera piroteknike, si dhe mbajtja e çelësave, çakmakëve, monedhave metalike dhe objekteve të tjera të forta të ndaluara në mjediset e Stadiumit.

Qytetarët të cilët janë pajisur me biletë, të marrin masa për paraqitjen në ambientet e Stadiumit përpara fillimit të ndeshjes, duke llogaritur dhe kohën e procedurave të kontrollit.

Nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, si edhe Klubit “Skënderbeu” kërkohet një sjellje korrekte dhe e kulturuar e tifozëve, shmangia e veprimeve që mund të çojnë në konflikte mes tyre dhe që mund të cenojnë rendin publik.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb