Tashmë nuk ka kohë për t’u kthyer pas dhe korçarët janë gati për të matur forcën në turin e dytë paraeliminator të Ligës së Europës kundër kazakëve të Kairat Alamtit. Një ndeshje delikate dhe tepër e vështirë për bardhekuqtë do të luhet nesër, por duket se në kampin e Skënderbeut janë të karikuar për ta përballuar me sukses këtë takim. Të paktën në këtë linjë janë dy lojtarët sllavë të Skënderbeut, Marko Radas dhe Goran Vujoviç.

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, si Radas, ashtu edhe Vujoviç, shprehen të karikuar për të bërë maksimumin në ndeshjen e parë që luhet nesër në Kazakistan. Për kroatin e mbrojtjes korçare, që është një nga lojtarët më me shumë eksperiencë te Skënderbeu për sa u përket ndeshjeve ndërkombëtare, kundërshtari është i fortë, por kjo nuk do të thotë se ndeshja është e humbur pa e filluar ende. Radas bën apel për përqendrim dhe qartësi në çdo veprim të ekipit për të marrë maksimumin nga ky takim.

“Tashmë mund të themi se kemi hyrë në fazën e vështirë të këtij kompeticioni për sa i përket turit eliminator. Nuk ka më ekipe të lehta dhe kjo dihet tani. Kairati është një nga ato ekipe që anën financiare e ka shumë të madhe, si dhe ka lojtarë mjaft të paguar. Kazakët kanë një ekip të fortë, aq më tepër në fushën e vet, por do të përpiqemi të jemi koncizë në lojën tonë.

Nuk duhet të trembemi pa filluar ndeshjen, por duhet të luajmë lojën tonë. Kemi eksperiencën e duhur për të zhvilluar një ndeshje të madhe dhe kemi të gjitha mundësitë për të marrë një rezultat pozitiv. Pritshmëritë e Skënderbeut në këtë kompeticion janë të mëdha, ndaj duhet të shkojmë sa më larg të jetë e mundur. Për ta bërë një gjë të tillë, përqendrimi në fushën e lojës është kryesori. Sulmi i tyre i frikshëm? E di që kanë lojtarë shumë të mirë, por edhe ne nuk jemi më pak prapa tyre. Nuk jemi vetëm ne në kushtet që duhet të druhemi në fushë, edhe ata duhet të bëjnë kujdes, sepse në fund të fundit takimi luhet në fushën e tyre”, theksoi Marko Radas duke u munduar të shfrytëzojë disi edhe eksperiencën që ka krijuar në të tilla kompeticione pas pesë vitesh.

VUJOVIÇ
Sulmuesi ende nuk e di nëse do të jetë titullar për këtë takim, por për atë ka pak rëndësi se kush luan. Mjafton që ekipi i cili do të jetë në fushë të japë maksimumin. Si i ardhuri i fundit në këtë ekip, Vujoviç vlerëson punën e shokëve të ekipit, ndërsa mendon se barazimi do të ishte një rezultat mjaft i mirë për Skënderbeun. “Unë ende nuk e di nëse do të jem në formacion apo jo, por të jeni të bindur se gjithkush që do luajë do të japë maksimumin në këtë takim. Jemi mjaft të karikuar dhe shokët e ekipit i kam parë shumë të përqendruar për këtë ndeshje. Është një provë force për ne, një nga ato takime që askush nuk kërkon ta humbasë.

Të kesh përballë në fushë emra si Arshavin është një motivim akoma edhe më i madh për ne. Skënderbeu është një ekip që ka vlera, ka lojtarë që mund të bëjnë diferencën dhe jam i bindur se të gjithë bashkë do të bëjmë një paraqitje mjaft të mirë. Nga ana tjetër, besoj se me kualitetet që kemi mund të bëjmë surprizën në Kazakistan. Na interesonte edhe një barazim, por nuk do të shkojmë për t’u mbrojtur. Jam i bindur se do të dalim me rezultat pozitiv nga ky takim”, mbylli prononcimin e tij sulmuesi malazez i Skënderbeut, Goran Vujoviç./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: