E përditshmja më e madhe maqedonase, “Dnevnik” i ka kushtuar sot një artikull Delina Ficos, bashkëshortes së ministrit shqiptar të Shtetit, Blendi Çuçi, njëherazi ish-bashkëshortes së kryeministrit, Edi Rama. Në artikullin e saj, “Dnevnik” bën me dije se Fico do të marrë një fond prej 9 milionë dollarë nga USAID, për t’i kaluar tek organizatat e Soros-it në Maqedoni. Sipas mediave maqedonase, kohët e fundit Fico ka hapur në Shkup një zyrë për të menaxhuar fondet e OJQ.
Nga Dnevnik
Ish-gruaja e Kryeministrit shqiptar Edi Rama, Delina Fico, përgjatë 5 viteve të ardhshme deri në 2021, do të ketë vendimmarrjen kryesore në dhënien e fondeve prej rreth 9 milionë dollarë të agjencisë USAID, të cilat do t’i kalojë tek organizatat e Soros-it, të fshehura mbrapa termit “jo-qeveritar”. Asaj iu dha kjo mundësi përmes një tenderi të përfunduar në shtator, për shkak se kjo veprimtari pritej të merrte fund pas mundësisë së ndryshimit të administratës qeverisëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Politika e USAID është të krijojë një bashkëpunim me OJQ në çdo vend, e më pas t’u japë atyre fonde. Në Maqedoni, tenderi u fitua nga organizata “East-West Management Institute” (EWMI) (një OJQ mbarëbotërore, e cila qartësisht ka lidhje me Soros-in), në bashkëpunim me 4 organizata në Maqedoni: Foundation for Internet and Society “Metamorphosis”, Association for Democratic Initiatives (ADI), Foundation “Open Society Macedonia” (FOSIM) dhe National Youth Council of Macedonia (NMSM).
Zyrtarisht, organizata “East-West Management Institute” (EWMI) është një organizatë jofitimprurëse e pavarur, e cila punon për të forcuar shoqëritë demokratike, duke përafruar qëndrimet mes qeverisë, shoqërisë civile dhe sektorit privat. Qëllimi i kësaj organizate është që në bashkëpunim me aktorët e lartpërmendur të punojë për të ndërtuar institucione të përgjegjshme dhe transparente, që u shërbejnë njerëzve. Në organizatën “East-West Management Institute” (EWMI), Delina Fico mban postin e drejtoreshës për programet për shoqërinë civile dhe është përgjegjëse për rajonin e Europës Juglindore.
Ajo është gruaja e dytë e Edi Ramës, me të cilën a pati një marrëdhënie që në vitin 1991. Më vonë ata u martuan, martesë kjo që zgjati për 6 vite dhe kanë jetuar sëbashku në vende të ndryshme, si në në Tiranë, Paris apo edhe Gjermani. Ata janë parë bashkë për herë të fundit në vitin 1997, dhe më pas Rama shkoi në Paris, ndërsa Fico shkoi në Shtetet e Bashkuara pasi mori një bursë studimesh. Sipas mediave shqiptare, asnjëherë nuk u qartësua se përse çifti u nda. Megjithatë, ishte një divorc i paqtë, pas të cilit Rama dhe Fico vazhduan të jenë miq. Fico më pas martohet më Ministrin shqiptar të Pushtetit Vendor, Blendi Çuçi.
Të dhënat profesionale të Delina Ficos në rrjetin social “Linkedin” bëjnë të ditur se ajo ka studiuar Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës dhe më pas në Univeristetin “New School” në Nju Jork, SHBA, ku u diplomua me master në Menaxhim Jo-Fitimprurës në vitin 1999. Në po të njëjtin universitetet, Delina Fico u diplomua me master në “Shkenca politike” në vitin 2005. Për sa i përket përvojës së punës, Delina Fico bën të ditur se ka punuar si drejtoreshë programi për projektin “World Irning” për harmoninë fetare në Shqipëri. Më pas Delina Fico ka punuar për një organizatë ndërkombëtare projektesh “Hermonics International”, e fokusuar në menaxhimin e projekteve për vendet në zhvillim. Organizata kryesisht konkurron për kontrata nga USAID-i dhe menaxhon projekte të sektorëve teknikë. Nga viti 2010, Delina Fico është punësuar në “East-West Management Institute” (EWMI) si drejtoreshë e programeve për shoqërinë civile. Ashtu si edhe në Maqedoni, Delina Fico e cila është një aktiviste e shoqërisë civile dhe gruaja e Ministrit shqiptar të Pushtetit Vendor, do të ndajë 9 milionë dollarë të marra nga USAID-i, për projekte në sektorin e drejtësisë. “Delina Fico është drejtoreshë e e programeve për shoqërinë civile në organizatën East-West Management Institute (EWMI), donatori i të cilës është Fondacioni Soros”, – bënë të ditur muajin e kaluar mediat shqiptare.
Paratë për projektet në Maqedoni do t’u shpërndahen OJQ-ve, pavarësisht ndryshimit të administratës në Uashington. Vitin e kaluar u shpall një konkurs për të punësuar 8 persona në zyrën e projekteve në organizatën East-West Management Institute (EWMI) në Shkup.
Soros i jep para institutit dhe vendos sesi do të ndahet
Është interesante të bëhet e ditur se Fondacioni “Open Society” i George Soros përballë organizatës East-West Management Institute (EWMI) ka një rol të dyfishtë. Fondacioni “Open Society”, është donator i fondeve të nevojshme për funksionimin e organizatës East-West Management Institute (EWMI).
Por rezulton gjithashtu se fondacioni “Open Society” në Maqedoni del edhe si një anëtar i atyre organizatave që do të përfitojnë nga shpërndarja e fondeve të USAID-it për OJQ-të në Maqedoni.
(Përgatiti: Ilir Sinanaj/ BalkanWeb)