TIRANË- Fati i protestës së opozitës pritet të vendoset sot në shesh. Gazetarja Elda Menga ka mësuar për News 24 dhe BalkanWeb se kulmi i saj do jetë pasi të marrë fjalën Lulzim Basha, i cili do kërkojë mendimin e protestuesve nëse duan të qëndrojnë në shesh për të marrë pushtetin.

Nëse gjen dakordësinë e protestuesve opozita parashikon të qëndrojë para kryeministrisë për më shumë se katër orë dhe të mos largohen derisa kërkesa për zgjedhje të lira dhe të ndershme të realizohet. Të njëjtat burime saktësojnë se kjo kërkesë e opozitës realizohet përmes një qeverie teknike që do të përgatisë vendin për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ndërkohë një skenar i dytë që u përfol në ambintet e selisë blu, siç raporton gazetarja Elda Menga është ngritja e çadrave para kryeministrisë deri në plotësimin e kërkesës së saj. Por, nuk ka ende një vendim përfundimtar.

Në podiumin e ngritur para kryeministrisë, 10 pritet të jetë numri i personave që do marrin fjalën, ndërkohë mësohet se ato nuk do jenë deputetë por njerëz të profesioneve të ndryshme, artistë, studentë, shoqëri civile, të papunë etj. I vetmi politikan që pritet t’i drejtohet qytetarëve është Lulzim Basha. Një rol të madh në këtë protestë do kenë të rinjtë të cilët do të vendosen kordon krah punonjësve të policisë për të shmangur çdo incident, ndërkohë deputetët do kujdesen që transporti i protestuesve në kryeqytet nga rrethet të mos pengohet në pikat hyrëse të Tiranës.

Kushtet e opozitës së bashkuar për ndaljen e protestave:

– Largimi i qeverisë, kusht për zgjedhje,
– Votimi elektronik kusht i panegociushëm,
– Zgjedhje me qeveri tranzitore!

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb