TIRANE– Ministrja teknike e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e propozuar nga PD, Xhulieta Kërtusha i ka propozuar Drejtorit të Institutit të Sigurimeve Shoqëore largimin nga puna të Drejtorit Rajonal të Sigurimeve Shoqërore në qytetin e Elbasanit, Ervis Xhelo. Sipas njoftimit të ministrisë zyrtari i lartë ka marrë pjesë në fushatën zgjedhore të PDIU gjatë orarit të punës.

NJOFTIMI:
Në kuadër të masave të marra për parandalimin e përfshirjes së punonjësve të administratës publike në fushatë zgjedhore, brenda orarit zyrtar të punës, Ministrja e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Z. Xhulieta Kërtusha ka firmosur masën disiplinore për largim nga puna të Drejtorit Rajonal të Sigurimeve Shoqërore në qytetin e Elbasanit.

Ministrja Kërtusha i ka propozuar Astrit Hado, Drejtor i Institutit të Sigurimeve Shoqëore, largimin nga puna të z. Ervis Xhelo me detyrë, “Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore” Elbasan, me arsyetimin se ekzistojnë faktet që vërtetojnë se z. Xhelo ka marrë pjesë në fushatën elektorale të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, gjatë orarit zyrtar të punës.

Propozimi i Ministres Kërtusha bazohet në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 473 datë 1.6.2017 “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë, për vitin 2017”.

Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë i kujton edhe një herë të gjithë punonjësve të administratës dhe institucioneve në varësi, që të respektojnë kuadrin ligjor në fuqi për të mos u përfshirë dhe ekspozuar publikisht në aktivitete të fushatës zgjedhore, gjatë orarit zyrtar të punës.

MMRS është e angazhuar që në zbatim të ligjit dhe vendimeve të Këshillit të Ministrave, të monitorojë dhe marrë masa për rastet e deoncuara dhe verifikuara.

Nga ana tjetër kërkohet bashkëpunim dhe vendosmëri në zbatimin e ligjit edhe nga drejtuesit e institucioneve, të cilët kanë përgjegjësi direkte në lidhje me aktivitetin e punonjësve të tyre.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: