NGA FATMIR POPJA

97 km nga Tirana ndodhet Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë në zonën e Librazhdit, një nga pikat që ka tërhequr vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj. E cilësuar si një nga zonat më të bukura të Librazhdit, ky park servir pamje përrallore në të gjitha stinët e vitit, duke veshur ngjyrat e larmishme të natyrës. Ai është kthyer në një destinacion si për familjarët, ashtu edhe për ata që ushtrojnë sporte ekstreme, si rally, alpinizëm e ski.

Dimri në zonat malore të rrethit të Librazhdit nis që në muajin tetor dhe në pikun e kësaj stine, dëbora në disa zona arrin nga 1.5 m – 2m trashësi. Në malet e Librazhdit ekzistojnë sipërfaqe të mëdha që prej pak vitesh shfrytëzohen nga turistët si pista për ski. Këtu është e vështirë të mbërrish në periudhat e motit të ashpër, si në ditët e acarta të fundit të janarit, por nuk janë të paktë njerëzit me shpirtin e aventurës, që sfidojnë çdo anë të egër të motit.

Me këtë anë të egër janë mësuar banorët e zonës, për të cilët të mbijetosh në dëborë, është mëse normale. Nënë e bir, Sherife e Ndriçim Seferi, në “Lagjen e Malit” në Librazhd Katund, një zonë malore pranë Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, rrëfejnë për News24 se përtej bukurive natyrore, të jetosh aty nuk është aq e lehtë.

Familja Seferi i siguron të ardhurat kryesisht nga blegtoria. Nënë e bir tregojnë se të ardhurat e siguruara mjaftojnë sa për të mbijetuar, por nuk arrijnë t’i nxjerrin produktet e tyre në treg. Kush jeton në mal, e di se dimri në këtë zonë zgjat rreth 6 muaj

Me rritjen e interesit për zonën malore, janë jo të paktë vizitorët që shprehin dëshirën për të blerë një shtëpi, apo sipërfaqe toke në këtë zonë. Por për familjen Sherifi, shtëpia ku jetojnë është e shumë e çmuar dhe pavarësisht shumave marramendëse të ofruara, ata nuk tundohen.

Prodhimet e zonës së Librazhdit, si qumështi, djathi, gjiza e mishi, mbeten burimet e të ardhurave të pjesës më të madhe të banorëve. Me një popullsi autoktone dikur nga zonat më të populluara të trevës verilindore të vendit, këto zona vazhdojnë të ruajnë traditat, një ndër të cilat është mikpritja. Këtë element e shijojnë dhe e përmendin turistët jo të paktë që mbërrijnë në këtë zonë, kryesisht në fundjava, nga treva të ndryshme të vendit, por edhe jashtë tij.

Ndërsa trashësia e dëborës është mjaft e madhe, ka edhe nga ata që me shpirtin e aventurës sfidojnë të ftohtin.
Ndërkaq Drejtori i Zonave të Mbrojtura për Librazhdit, inxhinier Fatmir Brazhda është mjaft optimist përsa i takon zhvillimit të turizmit malor në rrethin e Librazhdit si dhe kthimin e kësaj pasurie jashtëzakonisht të çmuar në një destinacion turistik gjithëvjetor. Bukuritë e shumta natyrore të Librazhdit gjatë këtyre viteve i kanë “marrosur” turistët gjermanë, francezë, polakë çekë etj, të cilët po i vizitojnë gjithnjë e më shpesh këto zona.

Ndërsa stina e verës në këto zona ofron një tjetër pamje. Aty pyjet e dendura dhe hapësirat e lëndinave mund t’i shërbejnë kampingjeve verore, pasi masivi i pyjeve në këto zona është ndër më të bukurit në Ballkan.

Flora dhe fauna e pasur është një tjetër karakteristikë për këto zona malore në Librazhd…Dr. Ermelinda Gjeta, pedagoge në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” thekson se në këtë rreth janë të evidentuara shumëllojshmëri bimësh aromatike-mjekësore. Madje një pjesë e tyre janë nga më të rrallat dhe për këtë shkak gëzojnë statusin e bimëve të rrezikuara.

Por specialistët japin alarmin se flora dhe fauna kanë pësuar dëme të pariparueshme si pasojë e masakrës mjedisore, ndërsa masat mbrojtëse kanë qenë thuajse inekzistente.

Rrethi i Librazhdit ka resurse të shumta turistike malore, si Stebleva, Mali i Sopotit, i Qarrishtës, i Polisit, i Dardhës, i Xhyrës, Liqenet e Shebenikut apo Rruga “Egnatia”. Ato janë vizituar përgjatë vitit 2016 nga rreth 19 mijë turistë, nga të cilët mëse 3600 kanë vizituar vetëm Parkun Kombëtar Shebenik -Jabllanicë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb