NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE- Kandidatët që janë regjistruar për të marrë pjesë në garën për specializimet afatgjata në Universitetin e Mjekësisë do t’i nënshtrohen testimit. Konkurrimi do të nisë më datën 9 janar, dhe fillimisht kandidatët do të zhvillojnë intervistën me gojë. Më pas, rezultatet e intervistimit do të shpallen nga Komisioni Vlerësues pas aprovimit nga dekani.

Në total intervista vlerësohet me 10 % të pikëve, ndërsa 20 % të pikëve kandidatët i fitojnë nga mesatarja e viteve të studimit.

Sakaq, testimi i informatizuar sipas rregullores së “Specializimeve Afatgjata në fushën e Mjekësisë, në Universitetin e Mjekësisë për vitin akademik 2016-2017”, do të nisë më datë 16 janar 2017 për kandidatët që kanë kryer intervistën me gojë. Ky testim do të zhvillohet në Agjencinë Kombëtare të Provimeve (AKP) sipas kalendarit të përcaktuar nga nga AKP.

Testi është pjesa më e rëndësishme e garës, pasi aty kandidati merr 70% të pikëve në total. Ky testim do të ketë 100 pyetje me alternativa.

“Gazeta Shqiptare” publikon fondin e pyetjeve të miratuara nga Fakulteti i Mjekësisë, prej të cilave do të përzgjidhen pyetjet që do të bien në testim. Normalisht kandidatët ditën e provimit duhet të kenë me vete mjetin e identifikimit, si dhe fotokopjen e saj. Po ashtu, ata duhet të paraqiten 30 minuta para fillimit të testimit.

Për këtë vit do të pranohen në total 186 specializantë të rinj, ku 124 prej tyre do të jenë nga kuotat e pambuluara, ndërsa pjesa tjetër do jenë në varësi të kërkesave nga ministritë përkatëse. Ministria e Shëndetësisë këtë vit ka kërkuar 42 kuota. Diferenca mes kuotave të mbuluara dhe atyre të lira, është se ata që fitojnë nga kuotat e mbuluara do të paguhen me rrogë mujore nga institucioni përkatës.

Po kështu specializantët duhet të plotësojnë kushtet e kontratës që do të nënshkruajnë me Ministrinë e Shëndetësisë, atë të Drejtësië apo Ministrinë e Brendshme, pasi në të kundërt do të kenë penalizime të ashpra, deri në 2 milionë lekë të reja gjobë. Penalizimet parashikojnë edhe kthim të pagesave mujore që ata kanë marrë gjatë viteve të specializimit.

* Pyetjet i gjeni në numrin e sotëm të Gazeta Shqiptare (print)

Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb