Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, u shpreh i kënaqur për 3 pikët e marra në derbi por mjaft i mërzitur me gabimet e shumta të bëra nga lojtarët e tij. Në deklaratën pas ndeshjes për “Gol pas Goli”, ai tha se Partizani ka një grup lojtarësh të cilët kompensojnë njëri-tjetrin dhe gjithashtu nuk u shfaq i habitur nga forca që tregoi Tirana në fushë.

Për fitoren
“Kemi hyrë në zonën e ndeshjeve finale që do të thotë se në çdo ndeshje 3 pikët janë të detyrueshme. Kur fitorja vjen në këtë formë është më e bukur ndaj dhe gëzimi është i madh.”

Për ndeshjen
“Kishim mundësi të mira kur filloi ndeshja dhe Tirana ishte përgatitur për të luajtur me kundërsulm. Momentet tona të mira zbeheshin nga gjendja jo e mirë e disa lojtarëve dhe më pas një gabim i krahut bëri që kundërshtari të shënonte. Kam konstatuar shumë gabime si asnjëherë më parë të cilat nuk falen. Kjo bëri që ndeshja mos ishte brilante, krijoi tension, por rëndësi ka fitorja në fund. Kaq mund të them sot, nesër do jem më i qartë në analizë.”

Për arbitrimin
“Fjala e parë që thashë dhe në dhomat e zhveshjes është që gjyqtari ishte i paanshëm. Dua t’i bëj komplimenta atij djalit të ri.”

Për mosaktivizimin e Mazrekajt që në fillim dhe Sukajn
“Ju këtu jetoni dhe e dini që Mazrekaj s’ka bërë asnjë seancë stërvitore gjatë javës. Nëse do vendosja ta kisha titullar, ai duhet të stërvitej me gjilpërë, gjë që nuk e lejova. Kur e futa kisha bindje që do të bënte diçka me klasin që ka. Ne arritëm të kemi dhe Sukajn sot që dihet që nuk është në 100% por vetëm në 70% dhe mori një satisfaksion të madh. Jam i kënaqur që lojtarët bëjnë maksimumin edhe me sakrifica, por nuk gëzohem kur gabojnë siç bënë sot.”

Për garën e titullit
“Për titullin janë të gjitha ndeshjet finale dhe nëse gabon një ndeshje, atëherë të tjerat nuk quhen më finale dhe duhet të shohësh çdo bëjnë të tjerët. Titullin e kemi në këmbët tona. Lojtarët po mësohen që në këto situata duhen fitore patjetër dhe duhet të durojmë stresin. Vetëm në këtë mënyrë dilet kampion.”

Për kontributin e Vilës në qendër të mesfushës
“Arsyen sapo e thashë sepse një lojtar ka klas por jo përgatitje, tjetri nuk ka shumë klas por ka përgatitje. Vila është nga ata lojtarë që nuk luan 90 minuta, por 180. Nuk është brilant, por Vila është titullar i joni me të mirat dhe të këqijat e tij.”

Për Cetkoviç dhe Ramadanin
“Cetkoviç është mesfushor trekuartist, në 20 metrat e fundit vuan si edhe ndonjë lojtar tjetër. Ndërsa Ramadani fundin pas trekuartistit e bën më mirë se të tjerët edhe pse nuk është brilant sa të tjerët. Lojtarët tanë kompensojnë njëri-tjetrin.”

Për forcën e Tiranës
“Vetëm ai që nuk kupton nga futbolli mund të krijojë bindjen që ndeshja ndaj Tiranës është e thjeshtë. Edhe Çelsi para 3 vjetësh rrezikonte të binte nga kategoria, por me ata lojtarë që ka Tirana ka vetëm problemin që e ka kapur kampionati keq, kanë dhe hallet e tyre me bojkotin e tifozëve. Për më tepër kur ka ndonjë tolerim për hir të Kupës, është e vështirë t’i thuash lojtarëve që fito këtu dhe tolero këtu. Tirana do qetësi dhe kohë që ta marrë veten, por ne e dinim si do ishte Tirana në ndeshjen e sotme.”/panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb