Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, pas ndeshjes me Korabin të luajtur sot në “Selman Stërmasi” thekson edhe një herë se titulli i këtij viti nuk i shkoj skuadrës më të mirë pasi për këtë u kujdesën njerëz të caktuar që e sulmuan klubin gjatë gjithë kohës.

Tekniku kryeqytetas edhe pse qartësisht duket i mërzitur për mosarritjen e objektivit deklaron se kurrë nuk do heqë dorë derisa të realizojnë ëndrrën e titullit dhe pas ndeshjes së fundit me Skënderbeun do të mendojnë për të ardhmen.

Për ndeshjen dhe sezonin

“Sot bëmë atë që kemi bërë me intensitet të lartë në muajin e fundit, por skuadra më e mirë nuk e fitoi dot titullin sepse nuk e lanë ta fitonte. Kemi bërë një kampionat të shkëlqyer, nuk mbaj mend një ndeshje të dobët. Jemi sulmuar gjatë gjithë kohës, edhe ashiqare, gjyqtarët që na kanë penalizuar janë graduar dhe kjo është gjithçka.”

Keqardhja për humbjen e titullit

“Keqardhjen tonë e kuptojnë vetëm ata që merren me këtë punë sepse ata e dinë çdo të thotë të sakrifikosh gjithë vitin, të mundohesh, të lodhesh, të kalosh netë pa gjumë për të mirën e skuadrës. Kjo që ka ndodhur nuk është parë në 40 vjet. T’i dalësh kundra një skuadre legjendare në këtë mënyrë ashiqare ndodh vetëm në Shqipëri.”

Ëndrra për të dalë edhe një herë kampion me Partizanin
“Ëndrra ime është që të realizohet kjo gjë. Na e prenë këtë ëndërr këtë vit, por shpresojmë dhe nuk do rreshtim duke kërkuar për ta realizuar këtë gjë.”

Vitin tjetër sërish trajner?
“Unë jam pjesë e Partizanit, e kam thënë që do dal në pension këtu dhe ishalla të kemi shëndet.”

Ndeshja e fundit ndaj Skënderbeut
“Ne jemi skuadër profesioniste, do të luajmë deri në fund dhe aty do të bëjmë ndeshjen tonë, më pas do shohim të ardhmen.”

Situata e Tiranës dhe Vllaznisë
“Vazhdoj të them që sistemi e solli që këto dy skuadra të diskutojnë mbijetesën në javën e fundit.”- u shpreh Starova për “panorama sport”.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: